Situata më përmbytjet në terren ka ardhur duke u përkeqësuar ku nën ujë ndodhen mbi 2700 hektarë tokë si dhe 155 banesa janë të rrethuara nga uji. Zoti Spahia pa afër gjendjen në fshatin Obot, atje ku banorët ndodhen të izoluar dhe transporti mund të kryhet vetëm me mjetet e larta të ushtrisë. më pas ai është ndalur tek segmenti tjetër i bllokuar Darragjat – Shirq në njësinë administrative të Dajçit.
Gjatë komunikimit me banorët dhe drejtuesit e njësive administrative,Spahia kërkoi vëmendje maksimale, pasi nuk duhet neglizhuar asnjë situatë, aq më tepër në orët e mbrëmjes ku ndërhyrja në terren është më e vështirë.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton se vëmendje të veçantë kryebashkiaku kërkoi për të moshuarit që jetojnë vetëm si dhe personat e sëmurë.
“Po përballemi me një situatë të vështirë në zonën e nënShkodrës ku harta e përmbytjes është zgjeruar. Me banorët dhe drejtuesit vendor të njësive administrative Ana e Malit dhe Dajç, pashë nga afër gjendjen e krijuar në territor. Rritja e nivelit të ujit po vjen jo vetëm nga reshjet por edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve, që për fat të keq po i kthejnë këto zona ndër më produktivet, në të pabanueshme. Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk duhet mbajtur peng nga qeveria, pasi kemi afro 2800 Ha të përmbytura dhe mbi 150 shtëpi të rrethuara nga uji, pa llogaritur dëmet në bujqësi e blegtori. Kjo është përmbytja e dytë në më pak se 1 muaj dhe fatura e rëndë financiare e saj nuk ka pse të paguhet nga banorët e Shkodrës, por shteti duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë”, ka deklaruar kryebashkiaku në një postim në Facebook pas vizitës në terren. Vetë banorët u shprehen se kjo situatë vjen jo vetëm nga reshjet por edhe shkarkimet e HEC-eve. Gjatë orëve të pasdrekës bashkia Shkodër ka kërkuar nga emergjencat civile 4 mjete dhe 3 varka të shoqëruara me forca ushtarake, nga të cilat 2 mjete dhe 2 varka në Njësinë Administrative Ana e Malit, Ura e Sagjicës; 1 mjet dhe 1 varkë tek Njësia Administrative Dajç; si dhe 1 mjet në Bahçallëk.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb