Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagon pas vendimit të KAS, i cili rrëzoi sot kërkesat e PD-LSI për sigurimin e provave të tjera nga institucionet ligjzbatuese si për emgirantët, në Polici apo Prokurori që lidhen me zgjedhjet e 25 prillit.

Bardhi thekson se me këtë vendim “KAS u mohoi sot shqiptarëve transparencën për masakrën zgjedhore të 25 Prillit”.

Sipas tij, “Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS”.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u mohoi sot shqiptarëve transparencën për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. 3 anëtarët e zgjedhur nga PS refuzuan, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë argument të marrin nga institucionet shtetërore provat që faktojnë se PS përdori burimet shtetërore dhe kriminale për deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Duke refuzuar të marrë dhe administrojë informacionin zyrtar për punësimet masive të paligjshme, përdorimin e personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, dhënien e paligjshme të lejeve të legalizimit apo favoreve të tjera shtetërore në këmbim të votave, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Ky është një akt i përsëritur, kur shërbëtorët e Ramës u heqin shqiptarëve të drejtën për një proces të ndershëm zgjedhor. Me vendimin për fletën e ndërlikuar të votimit, për shkak të të cilit vota e 83 mijë qytetarëve u bë e pavlefshme, KAS faktohet si bashkëautor i masakrës elektorale të 25 Prillit.

Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb