Në emisionin “Open” në News24, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se opozita nuk do të ketë një drejtues politik për Diasporën, ndërsa socialistët kanë përzgjedhur Taulant Ballën si drejtues politik për diasporën.
“Ne kemi një sekretariat të tërë për Diasporën, nuk mund të kemi një drejtues politik, pasi diaspora është e shpërndarë në disa shtete.
E kuptoj sepse tërheq vëmendje emri i Taulant Ballës, pasi Edi Rama mendon se diaspora janë çunat e Dubait, kur në fakt ato janë një minorancë e vogël, e diasporës së shqiptarëve”, tha Bardhi.
Bardhi përballet me Belinda Ballukun në Fier, ku janë caktuar drejtues politikë nga PD dhe PS. Bardhi tha se zonjën Balluku e njohin shqiptarët.
“Ajo vjen me fuqinë e krimit të organizuar, me atë të korrupsionit, ndërsa unë shkoj me ndershmërinë time.
Kam bindjen e thellë që Qarku i Fierit që do e ndëshkojë Partinë Socialiste, është një nga qarqet me fuqinë ekonomike më të madhe, por është braktisur nga PS-ja, edhe pse i kanë dhënë mbështetjen maksimale.
Do të jetë reagimi më i fortë krahasuar me qarqet e tjera. Nuk kam asnjë shqetësim që do kem përballë një njeri që e suporton krimi i organizuar, pasi krimi suporton njerëzit e korruptuar”, tha Bardhi.
(BalkanWeb)