Deputeti i partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka qenë i ftuar në emisionin “Pikat mbi i”, ku ka folur për shumë tema që prekin selinë blu, me në krye ngërçin e brendshëm në përplasjen e grupit ku bën pjesë ai dhe Enkelejd Alibeaj me grupin e kryetarit Sali Berisha.

Analisti Artur Zheji e vendosi Bardhin përballë faktit se grupi ku ai bën pjesë është në pasivitet dhe i mungon aksioni dhe axhenda politike, ndaj rrezikojnë të zhduken pasi po dominon grupi i Berishës që ka marrë në dorë lëvizjen e opozitës kundër Ramës.

Ndërkohë, Bardhi u shpreh se nuk ka frikë nga përbaltja siç e konsideroi ai që i bën kreu i PD, duke ju referuar edhe rastit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, për të cilën konstatoi se Berisha po e sulmon me argumentet e Taulant Ballës.

DISKUTIMI NË STUDIO:

Zheji: Ju dukeni se jeni në një bunker dhe nuk keni trupëzuar një aksion politik. Nuk keni kalendarizuar një axhendë politike dhe të ftoni pjesën tjetër ju për t’ju bashkuar. Ne kemi një Berishë shumë të qartë që ju thotë këtyre do vini me mua? Ai e ka kalendarizimin e aksionit politik, ju nuk e keni. Midis jush dhe atij njerëzit fillimisht do hutohen dhe pastaj do ndjekin kalendarin. Ka qenë në atë protestë deputetë që kanë qenë shumë të ashpër, morën pjesë në protestë dhe gradualisht pa zë po futen në këtë anë të grupimit dhe kjo vjen se ky grupi tjetër s’ka strategji dhe axhendë.

Ju nuk keni frikë politike që të jeni në targetin e një strategjie për t’u shpërbërë dhe shpartalluar si figura politike në sytë e demokratëve dhe më gjerë se kaq.

Bardhi: Unë nuk kam asnjë frikë se them dhe bëj ato që besoj. Unë besoj se Sali Berisha nuk është zgjidhje për PD dhe nuk e bën fituese partinë.

Po as ju nuk e bëtë fituese Partinë Demokratike!

Bardhi: Absolutisht me gjithë masakrën zgjedhore PD nuk e pati mundësin që të qeveriste vendin. Unë mendoj se PD duhet të shohë përpara. Ky mendimi im mund të sjellë atë baterinë e sulmit në drejtimin tim. Por unë s’jam në politikë që të luftoj për karrigen time. Nuk jemi pa strategji por strategjia jonë është për të mos i fryrë zjarri të përçarjes në PD. Jemi në aksion kundër Edi Ramës.

Zheji: Por nuk jeni më palë, ju e keni humbur cilësinë e një pale në aksionin politik. Ju jeni në pasivitet të plotë, ju sulmojnë dhe ju mbroheni. Alibeaj mbrohet, ti mbrohesh dhe një tjetër s’është fare, zhduket. Dhe ajo pala tjetër po merr të gjithë vëmendjen e opinionit publik. Ky është problemi dhe ti e kupton shumë mirë se çfarë po them.

Bardhi: Shiko kur unë them palë flas për anëtare të PD që mendojnë se Berisha është zgjidhje apo nuk është. Se po thamë palë i bie që pjesa tjetër s’është aty pa Berishën. Se kemi një Berishë që thotë gjithçka dhe bën gjithçka ndërsa ata të tjerët e ndjekin dhe nuk kanë as mision as ide.

Zheji: Por kjo nuk e justifikon pasivitetin tuaj, por e kthen në rend të ditës.

Bardhi: E përsëris se në finale ajo që ne duam të arrijmë është të mos përforcohet çarja e PD.

Po prisni vendimin e Gjykatës?

Bardhi: Po, po e presim!

Po do t’i vini gur zemrës dhe do bashkoheni me të po fitoi Berisha në Apel?

Bardhi: Jo nuk e kam aty se Berisha e kthen çdo betejë në personale. E rëndësishme është se sido që të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit unë them se do të respektoj çdo vendim gjykate. Nuk kam ndërmend të largohem nga PD, por nuk do bëj kapërcimin si kolegët e mi që të them se Sali Berisha është e ardhmja e PD. Do vazhdoj të them në çdo strukture të Partisë se Berisha nuk është e ardhmja e PD. Nuk e kam thënë këtë për interes të karriges, por se e besoj.

Jeni të keqardhur se kolegët tuaj kanë marrë pjesë në protestë?

Bardhi: Jo nuk jam. Me çafër kam biseduar me një grup prej tyre, protesta ishte një protestë me motiv politik dhe e thirrur kundër qeverisë. Pjesa dërrmuese e Grupit Parlamentar ishte në protestë për të qenë krah qytetarëve jo krah Berishës. Unë nuk mora pjesë në protestë se ishte me motiv politik, se të thuash që e kemi Edi Ramën armik pas 9 vitesh, nuk është e drejtë pasi shqiptarët nuk e kanë pasur mik Ramën gjatë këtyre viteve. Berisha një nga motivet e organizimit të protestës ishte të shpallte grupin armik ndaj PD. Tre individë ishin shpallur armik për të mos marrë pjesë në protestë. Zoti Alibeaj, zoti Basha dhe unë.

Slogani ishte i qartë “Shqipëria në rrezik” nuk thoshte Berisha që jemi në protestë për të shpallur armik ata kundër PD.

Bardhi: Shqipëria është në rrezik edhe sepse Sali Berisha ka marrë peng Partinë Demokratike.

Zheji: E kemi kaluar kohën politike të këtyre tezave. Zoti Bardhi ka lënë vend për interpretim në ngjarjet e Elbasanit. Z Berisha e ka cilësuar si pjesë e vrasjes në Elbasan së bashku me Taulant Ballën. Ndaj është krijuar një situatë e rëndë. Nuk është kjo ti je i shitur te Rama por është akuzë e drejtpërdrejtë për pjesëmarrje në krim të organizuar në Elbasan. Kjo është për të shkatërruar si imazh jo për të dëmtuar Bardhin.

Bardhi: Jo zoti Berisha nuk ka thënë këtë që ju thoni. Më ka bërë përgjegjës politik për një ngjarje të ndodhur në Elbasan. Ka ndryshuar qëndrimin e tij publik për atë ngjarje. Unë e kam mbajtur qëndrimin tim dhe nuk jam nga ata politikanë që bëjnë politikë me vdekjen. Nuk mund të shpall unë verdiktin si të jem Prokurori ose gjykatësi. Partia Socialiste në Elbasan nuk kishte shtab elektoral në Elbasan. Ne kishim përballë një grup të krimit të organizuar që ishte shtabi i Taulant Ballës. Unë s’kam patur përballë Ballën por grup të strukturuar kriminal, një pjesë e të cilëve sot janë në kërkim nga policia për trafik droge, tentativë vrasje.

Por PD ju konsideron ju si bandë.

Bardhi: Qarku i Elbasanit i ishte njoftuar muaj përpara policisë së shteti se ne e konsideronim partner, por u soll si një bandë në Elbasan se u bë një me krimin. Sali Berisha po e keqpërdor atë çështjes. Nuk e ndaloj dot Berishën të shpifi për personin tim. Ndaj shpifjes së tij ka një të vërtetë. Që policia e shtetit ishte aty dhe i la terren bandës për të marrë një kontroll. Këtë s’e kam thënë unë por Prokuroria e Shtetit që ka dalë në konkluzionin se policia ishte aty e njoftuar nga PD dhe s’ka vepruar se ka qenë e gjunjëzuar. Dhe s’mund të akuzosh Gazmend Bardhin pse ka bërë fushatë duke pasur përballë vrasës me pagesë, bandat më të kërkuara nga polica dhe lumin e parave të trafikut të drogës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb