NGA Valentina MADANI

TIRANE-
Bardhyl Londo, shkrimtari i njohur, ish-deputet i PD-së hedh dritë mbi shumë ngjarje zinxhir, të cilat sipas tij çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Z.Londo thotë për “Gazeta Shqiptare” se lëvizja e dhjetorit ishte veçse kurorëzimi i një përgatitjeje të gjatë nga intelektualë të ndryshëm, të cilët jo rastësisht më vonë, në dhjetor të ’90-ës u identifikuan si ‘pardesytë e bardha’.

Revoltën e tij ndaj diktaturës, Londo e shfaqi më herët, diku në prill të ’90-ës me poemën “Thirrjet e gjakut”, e cila mund t’i kushtonte edhe jetën.

Bardhyl Londo, në atë periudhë kryeredaktor i gazetës “Drita”, tregon për njohjen e parë me doktorin Sali Berisha tek reparti ushtarak i ‘Rrapit të Trishit’, takimet e mëvonshme në Bibliotekën Kombëtare dhe bashkëpunimi i gjatë me të në PD.

Z.Londo, si ishte situata në Tiranë para fillimit të protestave në dhjetor 1990?
Nga më të rëndat që ka kaluar Shqipëria kur nuk ka pasur ndonjë invazion ushtarak të huaj. Mizerjes ekonomike, radhëve të gjata nëpër dyqane për elementët më të thjeshtë të jetesës si buka dhe qumështi, mungesës së elektricitetit ose racionimit të tij u ishte shtuar edhe depresioni dhe zhgënjimi i pandreqshëm se Shqipëria është e dënuar kushedi nga çfarë fuqie e jashtëzakonshme, hyjnore apo e tokësore, të mbetej gjithmonë e mjerë, larg zhvillimeve që tashmë kishin ndodhur në vendet e tjera të Evropës Lindore; të mbetej pra, si një dele e zezë në Evropë dhe pse jo, në botë. I gjithë ky dëshpërim i frikshëm ishte plotësisht i justifikuar. Regjimet komuniste kishin rënë një nga një në të gjithë Europën Lindore. Kishin rënë në mënyrë spektakolare duke ngjallur një entuziazëm dhe një shpresë plot dritë në të gjithë botën. Kënga “Wind of change” ishte bërë në një farë mënyre himn i njerëzimit. Në dhjetor të vitit 1989 ra edhe një nga bastionet më famëkeqe të historisë së komunizmit botëror, diktatura e përgjakshme e Çausheskut në Rumani.

Spektaklin, por edhe përgjakjen e rrëzimit të kësaj diktature e ndoqa njëzet e katër orë pa lëvizur nga ekrani i televizorit. Natyrisht, nga televizioni jugosllav, i cili e transmetoi live të gjithë ngjarjen, sepse për Televizionin Shtetëror Shqiptar as që mund të mendohej që të jepte diçka të rëndësishme nga ato që ndodhnin në Rumani. Gëzimit të përmbysjes së diktaturës në Rumani iu shtua një trishtim dhe dëshpërim shumë i madh: Shqipëria përsëri kishte mbetur e fundit, e braktisur, e nëmur, e vetmuar, në dorë të atyre që e kishin drobitur dhe plaçkitur për gjysmë shekulli rresht. Ishte një nga situatat më depresive dhe më të dëshpëruara që po kalonte vendi ynë. U desh edhe një vit tjetër nga dhjetori i vitit 1989, në dhjetorin e vitit 1990 që revolucioni antikomunist të vinte nga Rumania në Shqipëri. Ishte paradoksalisht një kohë shumë e gjatë, ashtu siç ishte shumë dëshpëruese që Shqipëria përsëri mbeti e fundit nga vendet e Evropës, që u fut në rrugën e Zotit, siç thuhet.

A ishin shkrimet e intelektualëve gjatë periudhës prill-qershor 1990, ato që ndezën shkëndijat e para të demokracisë? Kam parasysh këtu emrat e intelektualëve që habitën opinionin shqiptar me guximin e tyre. Pa pretenduar se mund të bëj një listë përfundimtare, mund të përmend emra të tillë si ju, Ylli Popa, Sali Berisha, Kujtim Çashku etj.

Shkrime të tilla, patjetër që kanë luajtur një rol jo të vogël në ndërgjegjësimin e njerëzve, sepse para së gjithash, i ndihmonin ata të mposhtnin frikën që diktatura e tmerrshme gjysmëshekullore ua kishte injektuar në çdo qelizë të trupit. Por, rolin kryesor e luajti dikush tjetër. Komunizmi ra nga mbipesha e tij, në kuptimin që e kishte tepruar aq shumë, kishte tejkaluar çdo masë dhe hamendje njerëzore me zullumet e veta, sa nuk kishte më as Zot, as djall që ta shpëtonte dhe ta mbante më këmbë më. Dhe, e dyta, ngjarjet në vendet e tjera të Europës Lindore nuk mund të mos arrinin edhe në Shqipëri, sado e veçuar dhe e vetizoluar të ishte kjo e fundit.

Çfarë nënkuptonte poema juaj “Thirrjet e gjakut”, botuar në gazetën “Drita”, më 8 prill 1990? Si u prit ajo, cilat ishin reagimet?
Nënkuptimin, apo kuptimin direkt më saktë, e ka që në titull, gjaku shqiptar, ai i riu, por edhe shekullori thërrisnin, ose më drejt ulërinin për ndryshim, për bashkim me Europën, për rikthimin e Shqipërisë në një vend si gjithë të tjerët. Jo rastësisht poema u botua pikërisht në përvjetorin e vdekjes së diktatorit Hoxha.

Vetë përjetova dy gjendje krejt të kundërta, frikën se mosguximin apo “marrëzinë” time, siç u shpreh një miku im, e paguaja shtrenjtë dhe të kundërtën e saj, kënaqësinë e leximit dhe përhapjes së shpejtë e të menjëhershme të poemës. Atë ditë gazeta mbaroi shumë shpejt, njerëzit e kalonin nga dora në dorë. Të tjerë kur gjenin mundësinë, e fotokopjonin për ta shpërndarë përsëri. Vonë, shumë vonë, pas shumë vitesh, shkrimtari dhe fotoreporteri i njohur Besim Fusha më dhuroi një faqe gazete të fotokopjuar ato ditë dhe që e kishte ruajtur me kujdes, ku ishte poema ime. Mbrëmjes, në sheshin “Skënderbej”, ku bëhej shëtitja e famshme e atëhershme, shpesh më kapte veshi vargje nga poema. Pëlqeheshin sidomos vargjet “një aeroplan ulet/ një tjetër ngrihet”, “që bënte fjalë për jetën luksoze të bllokut dhe të nomenklaturës së lartë komuniste.

Intervistën e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/12/09/intervista-e-plote-londo-reparti-rrapit-te-trishit-si-e-gjeta-berishen-duke-lexuar-fshehurazi-dostojevskin/


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: