NGA ARBËR SULO*

DELVINË- Një bari 35-vjeçar ka humbur jetën në rrethana misterioze në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të fshatit Kopacez të Delvinës. Burime nga policia lokale bënë me dije se Eduard Nora është gjetur nga familjarë të tij në malin e Pigadhës teksa lëngonte nga një plagë në këmbë. Në pamundësi për ta transportuar me krahë drejt Delvinës, për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, ai është çuar në stanin e vet, rreth 1 km larg vendit ku u gjet i plagosur.

Familjarët e tij i kanë dhënë ndihmën e parë duke i lidhur plagën. Ndërkohë, kanë njoftuar policinë e Delvinës, duke kërkuar ndihmë. Mësohet se ata kanë kërkuar asistencën e një helikopteri, por për shkak të terrenit malor ka qenë e pamundur.

Menjëherë pas sinjalizimit për plagosjen e bariut, forcat policore janë nisur me mjete drejt vendit të ngjarjes, por e kanë gjetur të pajetë Eduard Norën. Deri sa është zbardhur, trupi i 35-vjeçarit është mbajtur në stan, ku janë kryer veprimet e para hetimore, ndërsa më pas është transportuar drejt morgut të Sarandës ku është kryer ekspertiza mjeko-ligjore. Mjeku ka konstatuar një plagë me armë zjarri të llojit pistoletë poshtë gjurit të njërës këmbë. Sipas të dhënave të para nga grupi hetimor, vdekja e 35-vjeçarit ka ardhur si pasojë e hemorragjisë së madhe, pasi plaga nuk ishte lokalizuar e fashuar mirë nga familjarët e tij.

Burime konfidenciale deklaruan se mjeku-ligjor e ka cilësuar ngjarjen si vrasje, ndërkohë që kjo nuk është konfirmuar ende nga policia edhe pse dyshimet më të forta janë për këtë pistë. Burime policore pohuan se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth 1 km larg stanit të viktimës, por gjithsesi aty nuk është gjetur asnjë armë. Po të njëjtat burime sqaruan se nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes së çobanit dhe se po hetohet instensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Rreth 25 forca policore janë nisur mesditën e djeshme në malin e Pigadhës për të krehur zonën me qëllim gjetjen e provave, por rezultatet deri tani janë negative. Sipas policisë, familjarët nuk janë treguar shumë bashkëpunues deri tani, e kjo ndoshta nga hutimi e frika.

Megjithatë, nën zë, teksa prisnin trupin në morg, ata janë shprehur se djali i tyre është vrarë dhe ata e dinë se kush e ka bërë. 35-vjeçari Eduard Nora, ishte djali i fundit i Kadri Norës, ish-mësues në fshatin Kopacez. Ai ka pasur edhe 4 vëllezër të tjerë, të cilët kane vdekur për shkaqe natyrale, një e nga një ndër vite. Eduard Nora ishte i pamartuar, ndërsa punonte prej shume vitesh si bari me një tufë lopësh në pronësi të tij.

Vendi ku ndodhi ngjarja, pikërisht mali i Pigadhes, njihet si zonë e kultivimit të bimëve narkotike, mijëra rrënjë prej të cilave janë asgjësuar kohët e fundit. Ndërkaq, nuk dihet nëse kjo mund të ketë lidhjen me ngjarjen enigmatike të vdekjes së 35-vjeçarit Eduard Nora.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: