Kreu i PD-së Lulzim Basha nga Patosi deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit nuk zgjidhën asgjë për shqiptarët.

Basha theksoi se PD do të përdorë çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Postimi i kreut të PD-së Lulzim Basha:

Ndryshimi për të cili votuam më 25 prill, ndryshimin që u mohua dhunshëm më 25 prill dhe që e duan sot edhe më shumë siç e deshën më 25 prill. Dhe më vjen mirë që ndonëse plot me zemërim, ju gjej po kështu ballëlartë, sepse jam i bindur që sot jeni më të vetëdijshëm se kurrë se ajo që kishim përballë, nuk kishte lidhje me demokracinë. Dhe se pavarësisht atyre rrethanave, ne arritëm diçka për vendin, për Shqipërinë. Ishte angazhimi juaj, ishte angazhimi dhe sakrifica e vetëmohimi i demokratëve të Patosit, të Roskovecit, të Mallakastrës, të Fierit, të Lushnjës, të Divjakës, që bënë të mundur çeljen e shpresës që deri para disa muajsh apo para një viti, thuajse kishte vdekur.

Ky bashkim i madh që kemi realizuar gjatë këtyre viteve duke i prirë faktikisht frontit më të madh opozitar që ka njohur ndonjëherë Shqipëria në 30 vite, është edhe arsyeja që e shtyu kundërshtarin politik të kryejë vjedhjen më të madhe dhe masakrën më të sofistikuar zgjedhore të 30 viteve. Nuk kam ndërmend të zgjatem në aspektet e kësaj masakre, një pjesë të vogël përmendi kryetari sepse gjithsecili prej jush i di dhe është dëshmitar, katalogu i tyre është i pafund, por të vetëdijshëm siç jemi për atë çfarë ka ngjarë, për kë dhe çfarë kishim përballë që vetëm ia rrit vlerat sakrificës tuaj në këtë rezultit tuaj në Fier, por pa diskutim edhe në mbarë Shqipërinë dua t’ju them se pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, perdja e hekurt ka rënë mbi Shqipërinë duke renditur vendin tonë në një shtet që nuk ka lindje dhe përkatësi.

Dikujt prej jush mund t’i kujtohet në takimet e tjera ku kam paralajmëruar dhe u jam drejtuar qytetarëve për këtë rrezik dhe sot përsëri njësoj si në vitin 1991 zgjedhje bëhen por zgjidhje nuk ka. Pra nuk ka zgjidhje për mes zgjedhjeve si në 91-shin. Sikundër themeluesit dhe qëndrestarët këtu mes jush e dinë që 91-i ishte sipari i 92-shit. Nuk ka zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim i është mbivendosur dhunshëm dhe harbutërisht një pakicë e përbindshme, një pakicë e përbindshme, jo në dimensione por sepse është kaq e vogël në moral. Kaq jo përfaqësuese dhe për vetë familjen politike që ndërthur interesat kriminale me interesat korruptive, me interesat oligarkike, me interesat ekonomike që me forcën e krimit, korrupsionit, parave të drogës dhe parave e zhvatura të shqiptarëve, arriti të sigurojë një diferencë votash të nevojshme për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, për të vazhduar të vjedhë shqiptarët. Dhe sikurse e dini këtë radhë kjo diferencë ishte aq sa votat e rrëmbyera nga dhëndri dhe i djali një prej ortakëve të Edi Ramës. Detyra jonë përballë kësaj pakice të interesuar ta marrë Shqipërinë peng, është ta organizojmë shumicën dërrmuese të shqiptarëve që kanë interes tjetër, që kanë interesin e ndryshimit në të mirë të vetës së tyre, të familjeve të tyre dhe në të mirë të vendit.

Basha, nga Divjaka, deklaroi se Partia Demokratike në këto zgjedhje ishte në një betejë, duke pasur një program e një ofertë dhe se përballë kishte kundërshtarë, që përdorën gjithçka të paligjshme për të penguar ndryshimin.

Sepse miqtë e mi, angazhimi dhe shpirti i vetëmohimit që ju shfaqet këtu në Divjakë që në fushatën frymëzuese që ngritët peshë shpirtrat e banorëve të Divjakës, përmes programit tonë, përmes vizionit tonë, përmes fjalëve që buronin nga zemra e gjithsecilit prej jush në takimet elektorale. Se harroj momentin me adashin tim, me Lulin në maj të zetorit, i cili me mençurinë e trevave të Myzeqesë, me mençurinë e banorëve punëtorë të Divjakës, diti t’i përmbledh më mirë se kushdo tjetër edhe problemet por edhe zgjidhjet e këtyre problemeve.

Dhe për të cilat u kërcënua personalisht ai dhe familja e tij, sepse përball nuk kishin një kundërshtar politik, nuk kemi një kundërshtarë politik, por një njeri dhe një regjim i cili duke shkatërruar dhe duke injoruar rregullat bazë të pluralizmit, e konsideron palën që ka përballë një  armik ndaj të cilit i sulet me poshtërsinë dhe harbutërinë totale për t’i shkatërruar normalitetin e jetës, për ta nënshtruar, për ta poshtëruar siç ka bërë me të gjithë shqiptarët në këto 8 vite.

Por miqtë e mi më vjen mirë që ju shoh këtu jo vetëm ballëlart dhe të vetëdijshëm për betejën që bashkë kemi bërë dhe të cilës i kemi dalë zot në Divjakë, në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë, por po kështu të vetëdijshëm se pavarësisht prej masakrës zgjedhore ne kemi dalë jo më të dobët, por më të fortë, jo më të vegjël por më të mëdhenj, jo më të tkurrur por plot moral para shqiptarëve dhe gati për t’i kërkuar atyre që na ndoqën dhe shumë të tjerëve që duan të na ndjekin tani që 25 prilli jo vetëm nuk solli ndryshimin e kërkuar, por i rriti pikëpyetjet e tyre drejt një rrugëtimi i cili nuk ka përfunduar me 25 prill dhe që nuk mund kurrsesi të zgjasë siç thonë mendjelehtët dhe shpirt turbulluarit deri në 2025 sepse as demokracia e as Shqipëria nuk mund të presin deri në 2025-ën për një arsye të thjeshtë që e dimë të gjithë.

Ju e dini që njësoj si në  1991-shin themeluesit mes jush, qëndrestarët mes jush jemi një moment ku ka zgjedhje por nuk ka zgjidhje dhe këtë e dimë ne dhe këtë e di edhe kundërshtari.

Kjo është arsyeja që nuk i qesh buza sepse e di që me 25 prill ai ka vjedhur shpresën  shqiptarëve, ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve për ndryshim. E di që kjo ka shkaktuar fillimisht zhgënjim, dëshpërim, shok, tronditje por që  kjo dalëngadalë po i lë vend zemërimit, zemëratës dhe vendosmërisë për të mos e lejuar një pakicë të vazhdojë t’i imponohet shumicës të shqiptarëve.

Në këtë kuptim  detyra jonë është që luftës totale që  ju ka shpallur ju demokratëve të Divjakës, të Lushnjës,  Fierit dhe të mbarë Shqipërisë, luftës totale që Edi Rama dhe regjimi i tij i kanë shpallur demokracisë dhe vlerave elementare  europiane që mezi i kemi ndërtuar këto 30 vite me të mirat dhe të  këqijat e saj, t’i përgjigjemi me luftë totale.

Kjo do të thotë në radhë të parë që të refuzojmë me përbuzje dy prej manovrave të tij për t’i dhënë oksigjen kufomës politike të mandatit të tretë që është një foshnje e lindur e vdekur. E para është përçarja që po mundohet të ngjallë pasi përçarja e investuar për katër vite me radhë iu rrëzua me votë me 25 prill.

Katër vite me radhë, katër faktorë që  e hiqnin veten sikur kishin dalë nga PD-ja megjithëse unë ua kam thënë ju e ua kam thënë shqiptarëve nga mediat se nuk ka parti  që ka dalë nga PD-ja,  ka krijesa që ka sponsorizuar Edi Rama disa prej tyre bukëshkalë që kanë shkelur mbi sakrificat e lushnjarëve dhe banorëve të Divjakës për interesat e tyre personale dhe me 25 prill e morën përgjigjen, në Divjakë, Lushnje dhe në të gjithë Shqipërinë dhe shkuan aty ku e kishin vendin.

Nuk ia doli dot as të na  zvogëlojë, as të na përçajë. Manovrat e përçarjes, pykat e përçarjes iu thyen ndërsa ne jo vetëm nuk u zvogëluam por u rritëm, u bëmë më të fortë, u bëmë më të mëdhenj dhe pa diskutim jemi sot spiranca e vetme e shpresës së shqiptarëve për ndryshim siç kemi qenë tash 30 vjet për dy arsye kryesore: për vlerat që bashke ndajmë dhe prej bashkimit që kemi ditur ta kthejmë në një armë të fuqishme në kohën e agresionit ndaj nesh.

Siç ka ndodhur në vitet më të vështira  të demokracisë dhe për demokratët . Për vlerat që bashke ndajmë dhe që i shpalosëm në këtë fushatë ku pavarësisht prej njerëzve të korruptuar, njerëzve të krimit parasë së derdhur lumë, shtetit  që iu hodh në fyt e në kurriz shqiptarëve ne iu përgjigjëm më njerëz të ndershëm, me program, me ide, me vizion, me zgjidhje dhe kjo ishte arsyeja  që shpresa u ndez dhe me bashkim duke refuzuar qoftë mendjelehtësinë e atyre që për interesa të çastit apo mllefe të çastit e konsiderojnë 25 prillin fitore të Edi Ramës dhe jo një masakër zgjedhore duke i shërbyer kështu mendjelehtësi projektit të Edi Ramës për të na përçarë sërish qoftë duke bërë të mundur përmes bashkimit tonë sot dhe akoma më shumë me 13 qershor që të vazhdojmë deri në fund betejën e nisur që mund të ketë një dhe vetëm një përfundim: jo bashkëpunimin me atë që vodhi shpresën e shqiptarëve, por rrëzimin një orë e më parë të atij që vodhi vullnetin e shqiptarëve.

Dora e shtrirë për bashkëpunim pasi ke vjedhur zgjedhjet, do të thotë të bëhesh ortak në vjedhje. Pretendimet për reformë zgjedhore pasi ke vjedhur zgjedhjet, tregojnë jo thjesht tmerr dhe ankth, po dhe analfabetizmin politik të atyre që i kemi përballë.

Modeli ynë ka triumfuar. Ata që na kritikojnë sepse vazhdojmë të tregojmë me gisht modelin e kriminalizimit të kundërshtarit tonë, të shkrirjes të pushtetit me partinë, ata që na konsiderojnë demode, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse shërbimin më të drejtpërdrejt të kundërshtarit tonë.

Ata duhen injoruar, duhen përbuzur dhe duhen lënë në mjerimin e tyre personal. Sepse lufta totale kundër demokracisë, kërkon që e gjithë vëmendja jonë të jetë ndaj armikut numër një të demokracisë, armikut numër një të mirëqenies të shqiptarëve që është regjimi i Edi Ramës i dal nga tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve më 25 prill.

Padiskutim ne e dimë se ka patur 91, po ka patur edhe 92. Ne e dimë se jemi ngritur nga hiri fal vlerave dhe fal fuqisë së shpirtrave tanë. Ne e dimë se nuk e kemi matur asnjëherë veten me sa herë padrejtësitë na kanë goditu apo na kanë rrëzuar, po sa herë jemi ngritur të fuqishëm dhe të frymëzojmë e rifrymëzojmë shqiptarët për t’i çuar drejt arritjeve më të mëdha në këto 30 vite ku jo për çudi, as për rastësi, të gjitha mbajnë vulën tonë.

Nga rrëzimi i komunizmit dhe pluralizmi, nga futja në Këshillin e Europës dhe NATO, nga heqja e vizave dhe de facto marrja e statusit kandidat dhe zhvillimi ekonomik i vendit, të gjitha jo rastësisht mbajnë vulën tuaj, të demokratëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ndaj s’mund ta harrojmë kurrë që jemi trashëgimtarët e këtyre idealeve, të lëvizjes së dhjetorit që solli pluralizmin. Jemi faktorët e ndryshimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve duke i bërë të shiheshin në ato vite nga një komb i përbuzur refugjatësh në një komb që shihej me respekt dhe me nder si anëtar i NATO-s dhe anëtar potencial i Bashkimit Europian.

Jemi po ne që kemi mbi supet tona barrën e përgjegjësisë që na kanë ngarkuar qytetarët.

Kush tjetër përveç nesh ka forcën për ta çuar deri në fund këtë betejë? Por deri këtu nuk kemi ardhur rastësisht, nuk kemi ardhur duke u zvarritur. Forca jonë ka ardhur duke u shtuar pikërisht prej sakrificave dhe betejave që kemi zhvilluar.

Ndaj me këtë përgjegjësi që askush tjetër përveç nesh nuk e merr dot, me këtë forcë të rigjetur përmes bashkimit tonë dhe bashkimit të shqiptarëve me 25 prill, lamë ardhur t’ju kërkoj ta vazhdojmë betejën, sikundër kam ardhur t’ju kërkoj të më jepni besimin të vazhdoj t’i prij betejës me një qëllim, jo katër vjet, por një orë e më parë pas mbylljes së kësaj gare e cila i jep vlerë edhe më shumë dhe na tregon në sy të shqiptarëve se çfarë familjeje jemi .

Familje debati, e garës, e pjesëmarrjes, e mendimit të lirë dhe pas përfundimit e vetmja garanci dhe e vetmja forcë goditëse për të rrezuar regjimin. Për këtë ka vetëm një rrugë, ajo e mobilizimit masiv popullor, ajo e qartësisë së qëndrimeve tona politike dhe qëllimi ynë në një nuk mund të jetë gjë tjetër veçse të mos lemë asnjë minutë paqe, asnjë minutë oksigjen për këtë regjim, por të bëjmë gjithçka në çdo forum bashkë derisa ta rrezojmë e t’ju kthejmë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi Basha.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: