Akademiku i njohur, Artan Fuga, ishte i ftuar këtë të enjte përmes një lidhje direkte në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ku komentoi situatën aktuale në PD.

Ai tha se kriza nuk ka të bëjë me faktin se çfarë do të vendosë gjykata dhe kujt nga të dyja palët do i japë të drejtë, por sipas akademikut ka të bëjë me të ardhmen politike të vendit.

Sipas Fugës, ish-kryeministri Sali Berisha kërkon me çdo kusht të tregojë se vendimet e Kuvendit Kombëtar janë legjitime, ndërsa nga ana tjetër, krydemokrati Lulzim Basha kërkon të ruajë selinë, duke pretenduar që është ai institucioni legal në PD.

“Në situatën aktuale këto quhen situata të këqija, sepse nuk kanë një zgjidhje. Zoti Berisha luan kartën e demokratizimit, legjitimitetit nëpërmjet votës së militantëve, ndërsa zoti Basha luan letrën e institucionalizimin dhe përkrahjes së SHBA, këto elementë përplasen dhe japin një kontradiktë. Nga kjo pikëpamje mendoj që situata do të ketë këto hapa. E para duhet pritur e shtuna. Zoti Basha nga njëra anë konsideron se është vendim i marrë, por nga ana tjetër ka thërritur një Kuvend Kombëtar. në momentin kur Basha ka thërritur një Kuvend Kombëtar, i bie që ka pranuar logjikën që deri të shtunën e kaluar po ndiqte zoti Berisha. Në momentin kur palët pranojnë një gjë nuk ka më vend që ne nga jashtë të themi kush ka të drejtë nga këta. Nëse çështja do të shkojë në gjykatë, nuk është sot, por pas të dielës. Gjykata do të gjykojë numrin e delegatëve në secilin nga dy kuvendet dhe e dyta autencitetin e delegatëve, për të konfirmuar se ka qenë. Janë 4-5 kritere që do i dimë të shtunën apo të dielën. Në momentin që kemi Kuvendin e 11 dhjetorit, e nëse ai shpallet i paligjshëm shpallet nul çdo gjë. Ato kanë një vlerë anësore, ato kanë vlerë teknike dhe si të thuash në planin e luftës politike.

Ai që quhet Komision i Rithemelimit të PD, duke shkuar në seli, në një farë mënyre konsideron që është e drejta e vet. Unë do të thosha që nuk mund t’ia mohosh militantëve që të shkojnë për sa kohë ata s’janë përjashtuar nga partie. Ata nuk është se nuk kanë ku bëjnë mbledhje, por tregojnë që nuk njohin asnjë prioritet të zotit Basha me raport me ta. Është sinjal i të dyja palëve. Nga njëra anë grupi i Rithemelimit do të japë mesazhin që janë ata që do të vendosin. Ndërsa pala e zotit Basha duke mbrojtur ndërtesën e PD, do të japë sinjalin apo simbolin që selitë duhet të jetë dyshuese ndaj këtij referendum dhe pushtetin legjitim e ka ai. Kjo mund të sjellë ditën e shtunë konflikte, që për mua duhet të evitoheshin me çdo kusht dhe maturia politike duhet të kërkonte që nëse ata e kanë pranuar gjykimin nëpërmjet numrit, atëherë të dyja palët të ndërmarrin vendimin që të bëhet kjo gjë. Çfarë do të sjellë kjo? Sigurisht do të shkojë në gjykatë, por është shpejt për të gjykuar.

Pa përfunduar procesi mendoj që asnjë gjykatës nuk e ka mundësinë. Kjo çështje mendoj që do të vazhdojë gjatë e nuk do të njihet. Pavarësisht se ne do të jemi te një krijim i dy partive të PD, që për mua është fati i të gjitha organizmave, për mua baza e gjithçkaje është mungesa e demokratizimit të PD, sepse një parti e demokratizuar këto çështje i zgjidh në mënyrë të qetë e qartë. Kjo do të thotë që ne nesër pasnesër, do të kemi një ndarje të grupit të PD. Do të kemi një konfiguracion të ri forcash në Kuvendin e Shqipërisë. Do të kemi ngjarje në vitin 2022. Problemi nuk është në gjykatë, por është fjala për konfiguracionin politik, gjyqësor, të Shqipërisë në vitin 2022, sepse do të zgjidhet Presidenti i Republikës. Këtu përsëri do të kemi një figuracion të re forcash”, tha Fuga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb