Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar sot një tjetër pikë nga paketa ekonomike në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa u ndal tek pensionistët.

Ai premtoi se pensionet do të rriten çdo vit me 5 %, me synim që deri në fund të mandatit të parë të jenë sa pensionet mesatare të rajonit.

“Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. Kudo në Shqipëri takoj njerëz, bashkëmoshatarë apo më të rinj që ndajnë të njëjtën brengë, pamundësinë e prindërve pensionistë për të mbyllur muajin. Kush nuk e di këtë brengë, kush nuk e njeh këtë brengë. Edhe ata që mundohen ta fshehin duke kontribuar nga të ardhurat e veta të pakta , qindra e mijëra prej vëllezërve e motrave, kushërinjve që kemi në emigracion që janë shpresa e vetme, filli i vetëm që i mban prindërit e tyre pensionistë në këmbë.
Boll më!
Boll më!
Ka ardhur koha t’ju garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respektin dhe dinjitetin që meritojnë. Dhe ne do të garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respekt, që tu plotësohen nevojat bazë, që çdo gjyshe dhe çdo gjysh të jetë i sigurt dhe të ketë vendin e vetë në shoqërinë tonë.
Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante, çka padyshim do të ndihmojë jo vetëm klimën e biznesit por dhe familjet shqiptare. Do t’ju vijmë në ndihmë të gjitha familjeve shqiptare dhe sidomos çifteve të reja pa përjashtuar askënd.”, tha Basha.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb