TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se buxheti i vitit 2019 i miratuar nga maxhoranca është buxheti më katastrofik në 28 vite. Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se me këtë buxhet legjitimohet zhvatja dhe grabitja e taksave të shqiptarëve.

“Ditën e sotme organizata kriminale ka kaluar buxhetin më katastrofik në 28 vite. Legjitimon zhvatjen dhe grabitjen e taksave tuaja dhe pasuron një grup oligarkësh dhe qeveritarësh. Dy janë karakteristikat e këtij buxheti apo vjedhjeje masive me një votë jolegjitime. Shqipëria në 5 vite të Edi Ramës është katandisur në një vend ku 97% e qytetarëve paguajnë taksa më shumë dhe fatura më të shtrenjta se në vendet e rajonit. Ka nxjerrë nga xhepat e shqiptarëve 1.9 mld euro më shumë.
Kjo rritje galoponte taksash që ka çuar në 1.9 mld euro më shumë të marra nga xhepat tuaja nuk ka sjellë asnjë rritje ekonomike por e ka futur vendin në një cikël krize”, theksoi kreu i PD.

Ai mori si shembull mbylljen e bizneseve që sipas tij kanë prekur 150 mijë familje shqiptare.
“Nuk ka shembull më të trishtë për ta ilustruar këtë se sa përditësimi i fundit i shifrave të falimentimit të bizneseve. Mbi 13 mijë biznese të mbyllura nga janari deri në tetor. 60% më shumë biznese kanë mbyllur qepenat këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Mbi 73 mijë biznese të mbyllura që kur Rilindja ka ardhur në pushtet që prekin 150 mijë familje shqiptare. Ky është rezultat i drejtpërdrejt i frymës mbytëse për ekonominë që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës”, tha kreu i PD.

Basha tha ndër të tjera se borxhi publik arrin në 83% të prodhimit të brendshëm bruto dhe paratë e shqiptarëve po bëhen rrush e kumbulla.

“Nën presionin tonë e ka bërë taksën zero, por paguan më shumë taksën e energjisë dhe taksat lokale, të ujit, të pronës. Këto pagesa të rënduara anë sjellë falimentimin masiv të biznesit të vogël. Është jo arsyeja se pse pronarët dhe sipërmarrësit e vegjël përbejnë kontingjentin kryesor të shqiptarëve që largohen nga Shqipëria. Ky biznes falimenton sepse është rritur kostoja e biznesit. Në Tiranë ka shkuar 7 fish taksa për bizneset e vogla, taksa që shkojnë për fasda. Këto para do shkojnë për luks qeveritar. Paratë e shqiptarëve po behën rrush e kumbulla. Projekti i Unazës, do hidhet një shumë e barabartë sa shteti do harxhojë për një vit për familjet në nevojë. Ne e dimë  se kemi mbi 150 mijë familje në nevojë ekstreme që nuk sigurojnë bukën e gojës. Në vend që të mendohet për këta njerëz që këta njerëz të mos mbeten pa bukë, buxheti është i barabartë me ndihmën që duhet tu jepet familjeve. Është buxheti më katastrofë i 28 viteve. Borxhi arrin në 83% të prodhimi të brendshëm bruto. Ai mban të fshehur borxhin PPP që fryhet se nuk ka të ngopur. Vetëm përmes këtij borxhi, shqiptarëve u shkon borxhi publik në 82-83%.  Vetëm 40 milionë euro për të pangrënët dhe do ta çojë 4 herë më shumë faturën për oligarkët që vjedhin. Buxhet që ngrenë dorën për të votuar deputetë të korruptuar dhe që duhet të ishin në burg”- tha Basha.

Kryedemokrati tha se PD ka një alternativë të qartë për nxjerrjen e  vendit nga kriza duke ulur taksat dhe anuluar koncesionet që sipas tij janë korruptive. Basha u shpreh se do mbajë përgjegjësi kush ka përfituar dhe grabitur paratë e shqiptarëve.

“Ne kemi një alternativë për të nxjerrë vendin nga kriza. Ajo është taksa e sheshtë prej 9% dhe kufirin minimal. Heqjen e TVSH dhe vendosjen e një tavani me të cilin nuk mund të ngrihen taksat e pushtetit vendor.  Rikthimi i fashave mbrojtëse për shtresat në nevojë që asnjë familje të mos mbetet pa drita. Fasha mbrojtëse dhe për sipërmarrjet për të ndikuar në tregun  e jashtëm dhe të brendshëm. Anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive. Ta harrojnë se do ti gëzojnë parat që kanë marrë apo ato që presin të marrin. Janë këto qindra mijëra euro që shkojnë për këto oligarkë. Kemi 190 mijë shqiptarë që hanë vetëm një vakët. Nëse alternativa është të falimentojë Shqipëria apo ju, kjo alternativë është e qartë. Do falimentoni ju dhe do mbani përgjegjësi,. Hiqni dorë nga piramida e PPP. Asnjë nuk do tolerohet. Një për një koncesionet do anulohen dhe paratë do i kthehen qytetarëve. Mos u zhysni në këtë vjedhje se do mbani përgjegjësi. Duan të nxjerrin familjet nga shtëpia e tyre, pasi u janë errësuar sytë nga grabitja. Nuk është betejë për të majtën apo të djathtën, por bëhet fjalë për në grusht shushunjash që po grabisin shqiptarët.”- tha Basha.

DEKLARATA E PLOTË E BASHËS
Përshëndetje të nderuar të pranishëm, përfaqësues të medias, të dashur bashkëqytetarë!
Ditën e sotme organizata kriminale e Rilindjes ka kaluar buxhetin më katastrofik të 28 viteve pluralizëm. Është një buxhet i cili legjitimon zhvatjen dhe grabitjen e taksave tuaja, taksave së 97% e shqiptarëve dhe pasuron një grusht oligarkësh dhe një grusht qeveritarësh.

Zonja dhe zotërinj, dy janë karakteristikat e këtij buxheti apo e kësaj vjedhje masive që u miratua sot me një votë jo legjitime të organizatës kriminale të Rilindjes.

Karakteristika e parë është që Shqipëria në 5 vite të qeverisjes të Edi Ramës është katandisur në një vend ku 97% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, faturat më të shtrenjta, të karburantit, të energjisë, të ujit në Rajon dhe në disa raste edhe në Europë.

Është fakt se në këto 5 vite Edi Rama ka nxjerrë nga xhepat tuaja, nga xhepat e nënave dhe baballarëve, punësuarve e të papunëve dhe vogëlushëve 1.9 mld euro më shumë përmes taksave të rritura, tatimeve të rritura, përmes rritjes në rekorde historike dhe rajonale të çmimet të energjisë, të çmimit të naftës, të çmimit të ujit, tarifave dhe taksave të shumta vendore dhe qendrore.

Është fakt nga ana tjetër që kjo rritje galoponte e taksave e cila ka çuar në 1.9 mld euro më shumë të marra nga xhepat tuaja nuk ka sjellë asnjë rritje ekonomike. Përkundrazi e ka futur vendin në një cikël krize i cili karakterizohet nga mbyllja e përditshme e bizneseve, nga rënia e prodhimit, nga rënia e importeve dhe eksporteve, nga rënia e besimit të konsumatorit, nga rënia e besimit të biznesit tek ekonomia shqiptare, e biznesit shqiptar dhe e biznesit të huaj.

Dhe nuk ka shembull më të trishtë, më të tmerrshëm për ta ilustruar këtë sesa përditësimi i sotëm i shifrave të falimentimit të biznesit të vogël. I cili tregon se për periudhën janar –nëntor 2018 kanë falimentuar 13 568 biznese, mesatarisht 41 biznese në ditë.

Pra, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i bizneseve që kanë mbyllur qepenat është 60 përqind më i lartë. Janar –nëntor 2017 ishin 8468 biznese.

Pra, kemi të bëjmë me një numër total prej 73 370 biznesesh që kanë mbyllur dyert e tyre që kur Rilindja ka ardhur në pushtet, më mirë të themi që prej vitit 2014, që prekin dretpërdrejtë 150 mijë familje shqiptare, të cilat në këto vite kanë humbur bukën e gojës, kanë mbyllur biznesin, kanë mbyllur aktivitetin e tyre të vetëm ekonomik.

Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i frymës mbytëse për ekonominë që ka shkaktuar qeverisja e Edi Ramës.

Është e vërtetë, nën presionin tonë e ka bërë 0 taksën për biznesin e vogël.
Por pyeti biznesin e vogël a e paguan më shumë apo më pak faturën e energjisë sot sesa vitin e kaluar, apo tre apo katër vite më parë?

A paguan më shumë apo më pak taksa lokale?
A paguan më shumë apo më pak taksën e ujit?
E paguan më shumë apo më pak taksën e pronës?

Pyeteni biznesin dhe përgjigjja do të jetë unanime; të gjithë paguajnë më shumë.
Dhe janë këto pagesa të rënduara të cilat kanë sjellë falimentimin në masë të biznesit të vogël në Shqipëri.

Biznesi i vogël në Shqipëri është punësuesi më i madh dhe është pikërisht ky falimentim masiv i biznesit të vogël, për shkak të këtyre tarifave dhe këtyre taksave të rritura, të fshehura dhe gjobave që janë shumëfishi i këtyre taksave arsyeja se përse këto biznese mbyllen.

Është kjo arsyeja se përse pronarët apo ish-pronarët e këtyre bizneseve, sipërmarrësit e vegjël, familjarët, që i përkasin sipërmarrjes së vogël përbëjnë ndër kontingjentet kryesore të atyre qindra mijëra shqiptarëve që largohen këto vite nga Shqipëria.

Këto janë të vërtetat dhe nuk fshihen dot nga propaganda bajate dhe e dalë boje e Edi Ramës.

Ky biznes falimenton, nga njëra anë, sepse janë rritur kostot e biznesit. Vetëm në Tiranë ka shkuar deri në 7-fish taksa vendore që vjel mëkëmbësi i Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe këto para nuk shkojnë në investime që ndihmojnë në rritjen ekonomike. Por shkojnë për fasada, për luks qeveritar, për buzëkuq qeveritar dhe elektoral.

Ja t’ju jap vetëm një shembull.
Shikojeni buxhetin e vitit 2019-të, për pajisje zyre, kompjuterike, rikonstruksione, ndërtime, makina, automjete për qeverinë. Shikojeni shifrën. 18 milionë dollarë! 18 milionë dollarë baraz me 9 mijë e 700 pensione vjetore në qytet, baraz me 17 mijë e 100 pensione vjetore në fshat, baraz me 28 mijë e 700 familje në nevojë që do të mund të paguheshin për një vit në masën mesatare të ndihmës ekonomike. Jo! As 28 mijë e 700 familje nuk do t’i marrin këto para për ndihmën ekonomike, për bukën e gojës. As 17 mijë e 100 familje në fshat nuk do të marrin pensionin. As 9 mijë e 700 të tjerat nuk do të marrin pensionin, sepse këto para do të shkojnë për të blerë luks qeveritar, kolltuqe të reja, tavolina të reja, makina të reja për qeveritarët dhe organizatën kriminale të Rilindjes.

Paratë e shqiptarëve po bëhen rrush e kumbulla. Vetëm projekti korruptiv i Unazës së Re, vetëm në atë projekt do të hidhet një shumë e barabartë me shumën që shteti shqiptar planifikon të harxhojë gjatë një viti, për gjithë familjet në nevojë ekonomike.

Sa familje janë sot në nevojë ekonomike? Sipas shifrave zyrtare, nevoja ekonomike e shqiptarëve sa vjen e zvogëlohet. Por ne e dimë fare mirë, dhe studimet e BB tregojnë se kemi mbi 150 mijë familje në nevojë ekstreme, që nuk sigurojnë dot bukën e gojës.

Se sot që flasim, sonte, ashtu si dje, pardje, ashtu si nesër, pasnesër, 290 mijë bashkëqytetarët tanë, të moshuar dhe fëmijë do të gdhihen e do të ngrysen me një vakt të ngrënë. Sepse nuk paguajnë dot, nuk kanë para të blejnë më shumë se një vakt për të ngrënë. Dhe në vend që të mendohet për këta njerëz, në vend që buxheti i shtetit të konsiderojë prioritet që askush të mos mbetet pa bukë, pa ujë e pa drita, buxheti për këta njerëz është i barabartë me vjedhjen e Unazës së Re.

40 milionë euro shpenzon qeveria tek Unaza e Re, tek dy kilometrat, për t’i vjedhur, për t’i batardisur, pas një skeme korruptive që e kemi denoncuar, të njëjtën shumë ka ndarë veç edhe për ndihmën ekonomike.

Ky pra nuk është buxhet, kjo është vetëakuzë. Është një vetë-aktakuzë që organizata e Rilindjes ka ngritur për veten e saj. Është buxheti më katastrofë në 28 vite!

Është buxheti më katastrofë në 28 vite, edhe për faktin se ngarkon me borxh edhe foshnjat e sapolindura. Borxhi i Republikës së Shqipërisë, borxhi nën Edi Ramën arrin në 82-83% të Prodhimit të Brendshëm bruto.

Imagjinoni! Ky që erdhi në pushtet nën premtimin se do të ulte borxhin, sot ka një borxh të deklaruar, sëbashku me llogaritjet e KLSH-së, prej afro 74% dhe ka një borxh tjetër, të cilin ua mban të fshehur shqiptarëve, borxhin e projektit më korruptiv të Ballkanit, projektit PPP që e nisi për 1 miliard dhe ka shkuar në këtë moment në 2.2 miliardë euro e vazhdon e fryhet e fryhet e nuk ka të ngopur.

Le ta marrim pak në vlerën 2.2 miliardë euro, ndonëse kjo vlerë do të ndryshojë shumë shpejt. Le të shikojmë se vetëm përmes këtij borxhi të kontraktuar përmes të ashtuquajturës marrëveshje PPP, shqiptarëve borxhi kombëtar iu shkon 82-83% e PPB-së.

Mijëra euro për vit, për çdo shqiptar, që takson foshnjën e sapolindur deri tek më i moshuari apo më e moshuara mes nesh.

110 milionë euro ka ndarë buxheti i shtetit vetëm për vitin e ardhshëm për të paguar këta oligarkë. Dhe duke filluar nga viti pasardhës, mesatarisht 160 milionë euro për çdo vit, për këta oligarkë.

Shikojeni kontrastin! Vetëm 40 milionë euro për më të pangrënët, me të paveshurit, ata që enden mes errësirës, se nuk paguajnë dot as një qiri, energjinë jo se jo, vetëm 40 milionë euro për ta, dhe do ta çojë deri në 160 milionë euro, katër herë më shumë faturën për 10 oligarkë me të cilët vjedhin bashkë, paratë e taksave të rritura shqiptare.

Ç’të flasim më? Çfarë buxheti tjetër mund të miratojë një organizatë kriminale ku ngrenë dorën për të votuar ministra të korruptuar, si Arben Ahmetaj e Damian Gjiknuri me shokë, ku ngrenë dorën për të votuar deputetë si Taulant Balla, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja me shokë, ku ngrenë dorën për të votuar ministra e deputetë që sot duhet të ishin në burg, por nuk janë në burg falë kapjes së drejtësisë dhe të gjithë këtë e mbikëqyr kryearkitekti i vjedhjes dhe i inkriminimit të politikës, vetë Edi Rama.

Ne kemi një alternativë, ne kemi një alternativë të qartë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë.

Alternativa jonë është ajo e taksës së sheshtë 9 %, si një domosdoshmëri për të konkurruar me tregjet fqinje, të Maqedonisë e të Malit të Zi, jo vetëm për investimet e brendshme, por edhe për investimet e huaja.

Ne kemi një alternativë për biznesin e vogël, kufirin minimal prej 12 milionë lekësh të reja, 120 milionë lekësh të vjetra në vit, heqjen e TVSH-së, vendosjen e pullës fiskale në mjediset e jashtme të biznesit, dhe vendosjen e një tavani mbi të cilin nuk mund të ngrihen taksat e pushtetit vendor, të cilat vetëm në Tiranë janë shtatëfishuar, krahasuar me 4 vite më parë.

Eliminimi i menjëhershëm i taksës së qarkullimit, me një vlerë prej 324 lekë për litër, do ta kthejë karburantin shqiptar në një karburant konkurrues, do ta bëjë pak më të lehtë jetën e familjeve, të familjarëve, duke u ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e konsumit të gjerë, do ta bëjë punën dhe prodhimtarinë e sipërmarrjes së vogël shqiptare dhe punonjësve shqiptarë më konkurruese, do ta bëjë prodhimin dhe shërbimet e shqiptarëve – gjithçka – nga mineralet tek turizmi, më konkurruese me tregun ballkanik, natyrisht edhe me tregun evropian që synojmë. 324 lekë më i lirë do të jetë karburanti me planin tonë, me platformën tonë fiskale.

Rithimi i fashave mbrojtëse për energjinë elektrike për shtresat në nevojë, dhënia fund e grabitjes më kriminale në histori që u bëhet shqiptarëve; energjinë shqiptarët e prodhojnë me më pak se një lek dhe qeveria jua shet, ju merr nga 9-13 lekë. Pra, rikthimi i fashës mbrojtëse për shtresat në nevojë, në mënyrë që asnjë familje të mos mbetet pa drita, jo vetëm tani, në mes të dimrit, ku sipas të dhënave zyrtare 40 % e shqiptarëve nuk ngrohin dot shtëpitë e tyre, por në asnjë kohë të vitit, asnjë familje shqiptare të mos mbetet pa drita. Por po kështu fashat e një çmimi konkurrues të energjisë, edhe për sipërmarrjet, njësoj si çmimi i karburantit, edhe çmimi i energjisë elektrike dikton drejtpërdrejtë konkurrueshmërinë e prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare, në tregun e brendshëm dhe në tregun e jashtëm. Pra, dikton drejtpërdrejt, nëse do të hapen më shumë vende pune, nëse do të derdhen më shumë investime në Shqipëri, apo nëse këto investime do të mbyllen këtu dhe investitorët do të kthejnë sytë nga vendet fqinje që konkurrojnë si me çmimin ekarburantit, ashtu edhe me çmimin e energjisë, ashtu edhe me taksat dhe na marrin, na thithin të gjithë investimet.

Po padyshim, hapi më i prerë që do të ndërmarrim do të jetë anullimi i të gjitha koncesioneve korruptive dhe kontratave korruptive që ka lidhur organizata kriminale e “Rilindjes” me këtë grusht oligarkësh, që janë sot përfituesit më të mëdhenj të buxhetit të vitit 2019.

Ta harrojnë, ta harrojnë se do t’i gëzojnë paratë që kanë marrë apo ato që planifikojnë të marrin.
Janë këto koncesione pjesë e planit të falimentimit të Shqipërisë, janë këto qindra milionë euro që shkojnë në xhepat e këtyre 10 oligarkëve dhe ndahen me 5 apo 6 krye të korruptuar, me Edi Ramën në krye. Arsyeja pse kemi 290 mijë shqiptarë që hanë vetëm një herë në ditë, arsyeja pse kemi qindra shkolla ku vogëlushët shkojnë pa ngrohje, arsyeja pse kemi qindra, mijëra pensionistë, që pasi paguajnë energjinë dhe faturën e ilaçeve, nuk kanë mjaftueshëm para për të blerë as bukën e gojës për një muaj.

Janë këto arsyet pse po kërcet borxhi në stratosferë e po bëhet i papagueshëm dhe po e fut ekonominë në një cikël krize nga e cila nuk e merr dot veten dhe e kthen ekonominë në një piramidë të vërtetë.

E pra, nëqoftëse alternativa është të falimentojë Shqipëria apo të falimentoni ju, dhjetë oligarkë dhe ministrat e korruptuar dhe kryeministri, me të cilët keni hapur konto bankare ku derdhni paratë që iu vidhni shqiptarëve, kjo alternativë është fare e qartë, nuk do të falimentojë Shqipëria, do të falimentoni ju! Do të përgjigjeni me pasurinë tuaj dhe do të përgjigjeni personalisht, para ligjit antimafia që Partia Demokratike dhe opozita janë të vendosura dhe ta bëjnë realitet.

Ndaj thirrini mendjes ju dhe bankierët, hiqni dorë nga kjo piramidë e PPP-ve. Askush nuk do të tolerohet, nga i pari tek i fundit. Pavarësisht emrit dhe mbiemrit dhe historikut tuaj politik me Partinë Demokratike, me Partinë Socialiste, apo me këdo parti tjetër!

Një për një kontratat tuaja, do të çmontohen, do të anulohen. Koncesionet do të anulohen, paratë që keni përfituar prej këtyre koncesioneve do t’i rikthehen buxhetit të shtetit, do t’i rikthehen qytetarëve shqiptarë.

Ju bëj thirrje, mos u zhysni më thellë në këtë megavjedhje me kryekusarin, sepse do të mbani përgjegjësi njësoj, nqse do të vazhdoni të jeni pjesë e zhvatjes dhe grabitjes së taksave të shqiptarëve.

Alternativa jonë është e qartë.
Nga këto qindra milionë euro që zhduken, në këto koncesione pa pikë vlere për Shqipërinë, ne do të financojmë miliona euro, 25 milionë euro në vitin e parë, stazhe të paguara për 10 mijë studentë shqiptarë që të mos enden rrugëve. Të mos mendojnë emigracionin si alternativën e tyre të vetme. Të mos përfundojnë inxhinierët mekanikë e elektronikë e juristë e ekonomistë, kamarierë, por të ndërtojmë një urë të sigurt nga bankat e shkollës, tek tregu i punës.

100 milionë euro të tjera, do të rezervohen për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë, të cilët përbëjnë 47 përqind të popullsisë dhe 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Republikës së Shqipërisë.

Zonja dhe zotërinj, është fare e thjeshtë!
Nga një anë kemi një klikë, një pakicë që kurrë nuk ka qenë më e pakët dhe nuk ka përfaqësuar më pak se sot askënd tjetër, përveç vetes së vet.

Një grushti politikanësh hajdutë, me në krye Edi Ramën që nuk di, ia errur sytë nga babëzia, duan të vjedhin gjithçka. Shpikin çdolloj skeme, vetëm për të vjedhur.

Shikoni se çfarë po bëjnë tek Unaza e Re.
Duan të nxjerrin familjet nga shtëpitë e tyre, sepse u janë errur sytë nga ryshfeti i majmë që duan të marrin në ato 40 milionë euro projekt korruptiv.

Nga ato familje ka me qindra të majtë, ka me qindra socialistë. Nuk u bëhet vonë. U janë veshur sytë, Edi Ramës u janë veshur sytë.

Zgjidhja nuk ka qenë kurrë më e qartë.

Një pakicë absolute politikanësh të korruptuar me në krye Edi Ramën dhe oligarkësh të korruptuar deri në palcë që nuk kanë më asnjë dhimbje për vendin e tyre se vetë i kanë rregulluar punët shumë mirë. Kanë hapur edhe konto jashtë shtetit.
Fëmijët i kanë çuar të studiojnë jashtë shtetit dhe Shqipërinë e shohin si një çiflig dhe jo si vendin e tyre.

Dhe shumicës dërrmuese të shqiptarëve, nga e cila, nga ju nxirren këto, qindra milionë euro, nga taksat e rritura, me faturat e rritura të energjisë dhe të ujit, me tarifat e larta, me gjobat e majme.

Pa dyshim që çdo shoqëri e emancipuar e kupton fare mirë zgjidhjen përpara së cilës ndodhet. Dhe unë ju kërkoj sot, t’i harroni ngjyrat. Mos i shikoni ngjyrat. Pa dyshim vij dhe flas këtu si kryetar i Partisë Demokratike, kemi një alternativë të qartë, për t’i rikthyer paratë në xhepat tuaja.

Por kjo nuk është më një betejë midis së majtës dhe së djathtës.
Kjo është një betejë për ekzistencën apo jo të këtij vendi dhe këtij populli, kundër një grushti shushunjash që tani po përgatitet të vjedhë gjithçka edhe me ligj, siç është ligji i buxhetit dhe ta boshatisë vendin.

Kjo është arsyeja përse ka regjimin më armiqësor ndaj shtresës së mesme, ndasj profesionistëve, ndaj mjekëve, ndaj inxhinierëve, ndaj avokatëve, ndaj ekonomistëve, i takson më mizorisht, se në çdo vend tjetër, për një arsye të vetme, që t’ju ulë kokën dhe t’ju mbyllë gojën.
Kam një thirrje për përfaqësuesit e kësaj shtresë.

Kuptojeni se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një lojë banditeske, e Edi Ramës. Nuk ka nevojë të rrisë taksat mbi ju.

I rrit taksat mbi ju, që t’ju kontrollojë. T’ju mbyllë gojën, që të mos reagoni. T’ju ndajë, t’ju përçajë.
Shtresa e mesme, intelektualët, profesionistët, janë ata që duhet të ngrihen të parët. Së bashku me studentët.

Edi Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet sepse na ka ndarë fije-fije.
Ku secili shikon hallin e vet, indiferent për hallin e vet, le të bashkohemi të gjithë së bashku dhe ta kthejmë këtë buxhet në epitafin e merituar dhe gurin e varrit për organizatën kriminale të “Rilindjes”.

Mos ta lejojmë të shkojë asnjë ditë më tutje, grabitja e taksave tuaja, vjedhja e të ardhmes së fëmijëve tuaja.
Shikoni fëmijët tuaj në sy! Nëqoftëse ju ka mbetur pak fuqi dhe jeni drobitur, dobësuar e lodhur nga hallet që ju janë ngarkuar mbi shpinë, shikoni në sy fëmijët tuaj, vogëlushë apo të rinj!

Luftoni për ta, luftoni për të ardhmen e tyre.
Ata nuk dorëzohen dhe nuk do të dorëzohen dhe opozitën do ta keni në krah hap pas hapi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb