TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat denoncoi sot atë që ai e quajti një skandal dhe mega aferë të qeverisë, mosreflektimin e uljes së çmimit të naftës në tregun e brendshëm, kur në botë nafta është ulur me 40%. Basha tha se janë dy arsyet që nuk lejojnë uljen e çmimit të naftës në Shqipëri, “nga njëra anë taksat e larta, në anën tjetër kontrabanda, evazioni i një informaliteti gjigand i koordinuar dhe i nxitur nga qeveria”.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka vendosur ti përgjigjet kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha me një gjëegjëzë popullore, ndoshta më të përdorurën prej shumë shqiptarëve. “Vjet thoshin do rritet nafta aq sa do bjere Shqipëria, tani pse nuk është ulur aq sa duhet! A ju kujtohet ajo çfarë uji ti japësh gomarit?”, ka shkruar në faqen e tij të Facebook, kryeministri Edi Rama.

Kreu i demokratëve tha sot se “ka vetëm një vend në Europë dhe planet ku rënia e çmimit në tregun botëror nuk reflektohet thuajse fare në çmimin e karburantit në tregun vendas. Ky vend është ai i drejtua nga dyshja Rama-Meta. Çmimi këtu është ndër më të lartët në botë, më i lartë se në vendet e zhvilluara të Europës”.

“Në të gjithë botën çmimi i naftës ka pësuar një spirale të përshpejtuar rënie, në tregjet botërore ajo është 40% më e lirë se 3 muaj më parë edhe nënproduktet me çmime më të lira”, tha Basha.
Ai shtoi se qeveria me vetëdije i lejon të blejnë 40% më lirë dhe t’ia shesin popullit 40% më shtrenjtë. “Këto shuma marramendëse nga fitimi nuk shkojnë për vende të reja pune, pensione e hapje shkollash, këto para vidhen”, u shpreh kreu i PD-së. Basha tha se ky është një skandal politik, ekonomik, skandal korrupsioni. “Shqipëria në këmbë, në protestë është e vetmja përgjigje për oligarkët”.

(ma.ar/mi.ka/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: