TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha denoncoi sot atë që e quajti kontratë korruptive të “Rrugës së Arbrit” duke deklaruar se shqiptarët paguajnë dy herë më shumë për të, ndërsa dje iu janë zhvatur 1.5 milionë euro. Basha theksoi se me këto para mund të bliheshin maska për personelin shëndetësor dhe të pamundurve si dhe teste për COVID-19.

“Pse nuk ndalen milionat drejt kontratave korruptive me 2-fish, 3-fish çmimin e kontratës. Sot kemi një tjetër pagesë nga thesari 3 milionë euro për një nga këto kontrata korruptive. Çmimi i së cilës është të paktën dy herë më i lartë se ç’duhet të ishte. Të paktën dy herë më shumë paguajnë shqiptarët për kontratën korruptive të ‘Rrugës së Arbrit’ se sa ç’duhet të paguanin dhe sot apo dje thesari i shtetit ka disbursuar plot 3 milionë euro. Në qoftë se e marrim të mirëqenë që vlera është dy fish më e lartë se ç’duhet të ishte sepse mund të jetë dhe tre herë më e lartë i bie që 1.5 mln euro i janë zhvatur dje shqiptarëve. Sa maska mund të bliheshin për të mbrojtur personelin shëndetësor, për tua dhënë të pamundurve që nuk i paguajnë dot. Sa teste mund të bliheshin dhe të administroheshin për të mos ardhur në këtë pikë e cila vetëm do të përkeqësohet në ditët e ardhshme.
Me mosveprimin nuk kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme por kemi të bëjmë me një armik të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve”, deklaroi Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb