Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se kur partia e tij të vijë në pushtet, çdo vit për sektorin e bujqësisë do të akordohet 100 milion euro.

Gjatë një prononcimi për mediat, pas disa takimeve që ai zhvilloi me biznese në Lushnjë, kyeopozitari Basha tha se plani i PD-së është një Shqipëri ku të fitojnë të gjithë.

Mes të tjerash ai pohoi se do të hiqet taksa Rama për karburantin.

“Çdo vit, do të kemi 100 milionë euro subvencione drejtpërdrejt tek fermeri dhe 50 milionë euro për infrastrukturën për bujqësinë. Nga pamundësia dhe mbijetesa, fermeri do të kalojë tek mundësia për të krijuar të ardhura mbi 1 milionë lekë, siç është sot fermeri i Kosovës apo Maqedonisë. Fermeri nuk ka pse të jetë skllav si sot, por të jetë shtresë e mesme.

Plani ynë fuqizon bujqësinë dhe agrobiznesin me qëllim rritjen e punësimit. Shëron plagën e largimit të rinisë nga Shqipëria. Kjo që propozojmë, është një Shqipëri tjetër, ku nuk përfiton vetem kryeministri me një grusht oligarkësh, por përfitojnë të gjithë. Që asgjë mos të hidhet në kanal dhe asgjë mos të shkojë kot. Që produkti jo vetëm mos të hidhet, por të konkurrojë denjësisht.

Me këtë plan do të shërojmë dhe një plagë që është largimi i të rinjve nga Shqipëria. S’ka familje në Lushnjë, në Fier, që nuk largohen nga vendi, për një jetë më të mirë. Ata që duhet t’i mbajnë në punë s’kanë më të ardhura dhe i heqin.

Heqja e taksës “Rama” mbi karburantin 240 lekë për litër do të jetë ndihmë e jashtëzakonshme. Karburanti ynë është më i shtrenjti në rajon, duke bërë çdo mall dhe shërbim më të shtrnejtë dhe jo konkurues. Cilësia e naftës është më e keqja, sepse e dimë të gjithë, se karburanti përzihet.

Brenda 100 ditëve të para do t’i jepet fund naftës pa cilësi në tregun shqiptar. Kjo nuk do të ulë të ardhurat, përkundrëzi. Në vitin e parë do të kemi 50 milionë euro më shumë në buxhet, sepse do t’i japim fund kontrabandës së karburanteve.

Kjo nuk është betaja e Lulzim Bashës, por betejë e çdo shqiptari. Jetojmë në një vend të bekuar nga Zoti, por të vjedhur dhe të keqqeverisur. Së bashku t’i japim fund të keqes, te ndalim largimin dhe të nisim ndryshimin, se nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjithë.” -tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: