Ibsen Elezi ishte një prej folësve në Kuvendin e kësaj të shtune të PD. Ai tha se konservatorizmi dhe fryma demokratike që përfshin debatin e brendshëm është rruga për të sjellë PD e vetme në pushtet.

Ai tha se Basha e mbylli partinë, ndërsa shtoi se nuk duhet pritur ndihma e Ilir Metës për të arritur qeverisjen, por kjo sipas tij duhet të bëhet e vetme.

“Të nderuar delegatë! Dua të them që Kuvendi i sotëm është i rëndësishëm sepse kishte përgjegjësinë e madhe për modelin e ri, që u rrëzua në Kuvendin e 11 dhjetorit, atë të Lulzim Bashës. Ishte një model i funksionimit të pa rregullt, ishte model i një piramide servile. Ndonëse me shumë vonesë gjithsecili nga ne është bindur. Çfarë ofroi Kuvendi i datës 11 dhjetor? Ai ishte një tërmet i vullnetit të lirë. E dyta ishte që u premtua një demokratizim i brendshëm i PD. Hapi rrugën e pikëpamjeve konservatore. Një grup prej nesh e kërkojmë si rrugën dhe pikëpamjen që e sjell e vetme PD në pushtet. Ajo fillon me rregulla, statutin e PD. Ka intelektualë. Njerëz që kanë themeluar PD. Duhet të ishte hap ky proces. Ky proces nuk ka ekzistuar. Unë mendoj që ky statut të jetë model i mirë, megjithëse kam pak besim. Teoria e turravrapit me i miratuar gjërat sa më shpejt, qoftë edhe me opinionin publik s’është normale. Kemi kërkuar debat. Debati s’është kapriço. Debati është mënyra se si vuloset demokracia brenda një partie. Ajo është themeli i demokracisë.

Basha e zvogëloi PD sa që ne nuk mundim një njeri të mundur si Edi Rama. Debati i hap rrugën PD. Mund të thërrasësh 100 emra që nuk vlejnë sa 10. Ata emra që janë me peshë në opinionin publik janë të vlefshëm. Debati i datës 11 dhe ky i sotëm kanë element të transparencës, por këto duhet të paraqesin të gjithë procesin. Jo unë, por gjithë kupola drejtuese manipuluam vota për Bashën, e bëmë në 2017, e bëmë në 2021. Gjithsecili prej jush duhet të kërkonte falje për këtë krim të shëmtuar brenda PD.

Kuvendi i 18 dhjetorit ishte një turp që Basha e kishte në vazhdimësi. S’mund të gënjesh shqiptarët. Në korrik të 2021, e keni parë se si Basha vazhdoi dhe konsolidoi me deformime të mëdha forumet e PD. Masakra e procesit të votimit është e kahershme që unë uroj që të mos ekzistojë më. Më keni akuzuar. Unë s’flas pa argumente. Dola dhe thash që pranohen shumë shtesa, por që të hiqen 400 e ca anëtarë nuk bën sens. Më dhemb fakti që dëgjoj shqetësimin e shumë njerëzve që janë në struktura. Ata në mënyrë të padrejtë janë hequr nga e drejta të jenë anëtar kryesie. Mund të shtoni numrin e kryesisë së degëve, por nuk lehen shumë zona pa përfaqësim. Ramën do e rrëzojë pasha e vet dikur, por nëse do besojmë vetëm te kjo do të ishte fatale. S’e meritojmë atë fitore. Rruga, s’është rruga dhe bashkimi i një kupole. Të radhitem te njerëzit që shohin vullnetin e lirë dhe s’e pranojnë është e turpshme. Të rri Alibeaj e të flasë me emër të PD është fundi i kësaj partie. Ai nuk përfaqëson asgjë dhe janë njerëz që kanë futur duart në krim. Gara për kreun e PD shkon në favor të zotit Berisha. Këtë nuk e mohon askush. Do të ishte në dinjitetin e tij të lejonte debat, të shtynte datën. Rikthimi te konservatorizmi është i nevojshëm e s’duhet t’i rikthehemi me fjalë. Duhet të jemi shumicë e amplifikuar, jo nëpërmjet Ilir Metës që presim të lë detyrën e Presidentit e të bashkohet me ne. Vetëm, e nëse kemi besim mund ta realizojmë”, tha Elezi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb