TIRANE

22 vite nga vrasja e ish-deputetit të PD-së Azem Hajdari, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi sot homazhe në memorialin e tij.

“Në përvjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë jetën dhe veprën e njeriut, që ia fali rininë dhe energjinë e tij demokracisë dhe lirisë.

Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit është përjetë shembull frymëzimi, për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie Europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zot të fateve të tyre.

E sotmja është po ashtu një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990 e në vitet që pasuan.

Vepra e Azem Hajdarit është dëshmia e qartë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë dëshirën, energjinë dhe vendosmërinë e rinisë por edhe të popullit shqiptar për ndryshim. Ndaj është koha që me frymëzimin e Azemit dhe bashkëluftëtarëve të tij të viteve ’90, të hapim rrugën e lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta, Shqipërisë si gjithë Europa.

I përjetshëm qoftë kujtimi i heroit të demokracisë, simbolit të luftës dhe përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.” shkruan Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb