Lideri i opozitës, Lulzim Basha në emisionin ”Java” në RTSH ka thënë se është i gatshëm të dalë në debat me Ramën për situatën me COVID-19 por ai refuzon.

Kjo sipas Bashës ndodh pasi vetë e ka ftuar në debat që prej 2011, atëhere kur përballeshin për Bashkinë e Tiranës por Rama tashmë prej dy dekadash refuzon këtë.

Po ashtu Basha thotë se një gjë të tillë mazhoranca dhe opozita ua kanë borxh shqiptarëve që në vend të spektaklit të ofrojnë një debat që kryeministri të fokusohet tek detyrat.

 

PYETJA: Do të preferonit të bënit një debat me zotin Rama në këtë hapësirë publike, nën moderimin tonë?

LULZIM BASHA: Do t’ju shkojë dëm përpjekja, sepse zotin Rama ka që prej vitit 2011 që e ftoj në debat, por ai nuk ka pranuar. Në çdo moment jam i hapur për debat, por ai ka refuzuar të vijë në debat me mua. Po mbushet dekada e dytë që refuzon të dalë në debat. Megjithatë, dua të them diçka. Kur të vijë dita, absolutisht çdokush do të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet. Pa diskutim, këtu roli i kryeministrit është kyç. Ndërkohë që gjendemi akoma në këtë situatë, mendoj që ua kemi borxh shqiptarëve që, në vend të spektaklit që mund të ofrojë një debat i dëshiruar, për te cilin shpreh gatishmërinë time në çdo moment, që energjia dhe fokusi i kryeministrit të jetë tek detyrat që duhen kryer dhe nuk po kryhen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb