Kreu i PD, Lulzim Basha ka siguruar se ai i qëndron marrëveshjes për Teatrin duke premtuar se kur të vijë në qeveri do e restaurojë siç ishte.

Madje Basha thotë se për aktin e sotëm do të ndëshkohen të gjithë autorët, nga Rama tek më i keqpëdoruri.

“Dua, po kështu, të ritheksoj angazhimin e marrë me shkrim në emër të opozitës së bashkuar, jo vetëm para Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe gjithë artistëve e njerëzve të kulturës dhe artit shqiptar, por përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë angazhimin tonë që nesër në pushtet në qeveri e zgjedhur nga vota e qytetarëve, duke vendosur interesat e bashkimit kombëtar dhe të mirëqenies së njerëzve dhe mirëqenies së shpirtit të kombit, jo vetëm sipas angazhimit me shkrim që kemi bërë verën e kaluar, do të restaurojë në gjendjen e mëparshme Teatrin Kombëtar, por do të sigurojë me të gjitha format dhe mënyrat ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarje të tmerrshme, nga Edi Rama deri tek i keqpërdoruri i fundit në këtë batërdi që prapë se prapë ka një emër, emrin e të keqes që ka zënë vendin prej fyti, emrin e Edi Ramës. Synimi ynë, objektivi ynë dhe stacioni ynë final është që këtë zemërim që e ndjejmë të gjithë sot në shpirtrat tanë kur kemi parë njerëzit që kanë mbrojtur me vetëmohim një pasuri kombëtare, që mund të ishin motrat, vëllezërit, nënat tona, të trajtoheshin në këtë mënyrë nga mafia dhe krimineli ordiner, hajduti Edi Rama, se rruga për ta shporrur këtë bandit dhe këtë të keqe, është rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe largimit të tij me votën më masive që ka njohur vendi në këto 30 vite pluralizëm”, deklaroi Basha.

Domethënë do të prisni zgjedhjet e vitit 2021?
Padyshim një orë e më parë. Një orë e më parë. Dhe ky nuk është komunikimi im i fundit me ju, është komunikimi i parë pas vendimeve të rëndësishme që ka marrë opozita sot.  Siç e thashë duke nisur me vendimin për të mbështetur të gjitha protestat qytetare dhe për të organizuar edhe ne, bashkë me ta, një rezistencë shembullore popullore kundër këtij regjimi, kundër këtij krimineli dhe hajduti ordiner.

Deri në datën 23 qershor ka një gjendje të jashtëzakonshme, kërkesë që ju e keni artikuluar përpara se qeveria ta miratonte. Si do ti mbani këto protesta në mbështetje të Shoqërisë Civile, artistëve por edhe vetë si opozitë e bashkuar?
Duke respektuar kushtet higjenike. Do t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të na bashkohen masivisht me efekt të menjëhershëm për të kundërshtuar e për të protestuar kundër këtij regjimi.

Do të braktisni tryezën e reformës zgjedhore nesër?
Sot për sot e gjithë vëmendja jonë është të jemi në krah të njerëzve, në krah të atyre që u dhunuan atje, në krah të çdo qytetari që dhunohet ditë për ditë me mungesën e bukës së gojës, nga diktatura e çapës së bukës. Kjo është diktatura e çapës së bukës dhe kjo duhet dhe do të marrë fund një orë e më parë.

Do të kemi së bashku komunikime të tjera, ju faleminderit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb