Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas reportazhit të publikuar mbrëmjen e kaluar në televizionin italian “Rai3”, që fliste për trafikun e drogës në Shqipëri.

Në një dalje urgjente për media, Basha tha se është i tronditur nga të dhënat e publikuara nga italianët, duke shtuar se këtë vit sasia e kanabisit është 5 herë më e lartë se vitin e kaluar.

“Jam i tronditur nga dëshmitë e publikuara në Rai3. Sasia e kanabisit këtë vit është 5 herë më e lartë se vitin e kaluar. Krimi shqiptar ka ndërtuar celula në gjithë Evropën dhe Amerikën Latine. Organizatat shqiptare kontrollojnë gjithë trafikun e heroinës. Organizatat shqiptare janë kthyer në lojtarë të mëdhenj të trafikut, që e marrin në Evropë dhe e fusin në Shqipëri.

Krimi shqiptar është zhvilluar për shkak të pandëshkueshmërisë. Krimi ka kapur të gjitha nivelet e qeverisjes dhe ka mbështetjen e të gjithëve. Kriminelët e kërkuar në Evropë shëtisin të lirë në Shqipëri. Kjo po e kthen Shqipërinë në një shtet të falimentuar, që kontrollohet nga krimi. Çdo gjë është e financuar nga paratë e drogës”, tha Basha.

Pjesë nga deklarata e Bashës:

E gjithë Italia dhe Europa, sikundër Shqipëria, mbrëmë, është tronditur nga dëshmitë që kanë sjellë Prokurorët dhe oficerët italianë në një reportazh dje të televizionit shtetëror Italian, Rai 3, një pasqyrë e rëndë të gjendjes së trafikut të drogës.

Dëshmitë e Antimafias Italiane janë se:

1. Këtë vit kanabis po kultivohet në një të tretën e territorit të Shqipërisë.

2. Sasia e kanabisit këtë vit është 5 herë më e lartë se vitin e kaluar

3. Krimi shqiptar ka ndërtuar celula në të gjithë Europën dhe në Amerikën Latine

4. Organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë në mënyrë ekskluzive gjithë trafikun e heroinës afgane, që kalon përmes rrugës ballkanike.

5. Organziatat kriminale shqiptare janë kthyer në lojtarë të mëdhenj ndërkombëtarë në trafikun e kokainës, që e marrin nga Amerika Latine dhe e fusin në Europë, shpesh, përmes Shqipërisë.

6. Krimi shqiptar është zhvilluar për shkak të pandëshkushmërisë dhe lirisë absolute që i është dhënë krimit në Shqipëri.

7. Krimi ka kapur të gjitha nvielet e qeverisjes dhe ka mbështetje nga të gjitha nivelet e qeverisjes, nga me i ulëti tek më i larti. Këtë të fundit e dëgjuam me zë dhe me figurë nga Prokurori i Antimafias.

8. Kriminelët e kërkuar në Europë shëtisin të lirë në Shqipëri.

9. Paratë e krimit pastrohen haptazi në Tiranë

Këto janë gjetjet e dokumentarit bombë, kësaj pasqyre, e cila konfirmohet nga të gjitha raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë.

d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb