TIRANA

Në fund të takimit me delegacionin e OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Urszula Gacek, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se është diskutuar për zgjedhjet e 25 prillit, që sipas tij, problem madhor kishin blerjen e votave.

Mes të tjerash, Basha tha se e ka informuar ambasadorin e OSBE se ka vetëm një arsye që opozita ndodhet sot në Parlament dhe që është kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

“Raporti flet për lirinë e medias dhe siç ndava me ambasadorin gjërat nuk janë bërë më mirë, por më keq. Në kohën që shkruhej raporti, Rama mori zëdhënësen e partisë dhe e vuri në krye të Autoritetit të Medias. po tenton të zhdukë edhe atë pak liri që gazetarët kanë për të mbledhur informacion dhe për të bërë transparencë. Raporti flet për problemin madhor të blerjes së votave. Këto janë ato që ndava pak a shumë, por e informova, që kemi vetëm një arsye pse jemi në atë Parlament, jemi aty për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Të gjitha këto probleme të marrin zgjidhje nuk mjafton një reformë zgjedhore, për të cilën PD është e vendosur dhe për të cilën kemi ngritur një grup pune, të kryesuar nga Alibeaj, dhe që do t’i çojmë shumë shpejt Kuvendit kërkesën për ngritjen dhe vazhdimin e punës për reformën zgjedhore. Por kjo nuk mjafton, sepse regjimi deri më 25 prill, por edhe pas, shkeli rregullat që kishte aprovuar vetë, pa opozitën, pa PD, pa aleatët tanë.

Duhet t’iu japim shqiptarëve instrumentet që garantojnë që ky legjislacion do të zbatohet, nuk do të mbetet në letër, sepse ligje të mira ka dhe Lukashenko, por Shqipëria nuk do të jetë dhe nuk do të bëhet Bjellorusi. Me këtë raport, Shqipëria nuk ka asnjë ndryshim nga Lukashenko. Ne do të bëjmë gjithçka që t’i imponojmë një agjendë, një kalendar, një platformë qytetare për demokracinë, duke përdorur dhe fuqinë tonë brenda Parlamentit, për zgjedhje të lira e të ndershme. PD është e përkushtuar për të bërë gjithçka për Shqipërinë dhe shqiptarët, armiku i vetëm i PD, është armiku i shqiptarëve, është regjimi i instaluar dhunshëm”, tha kryedemokrati Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb