VLORË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka quajtur teatër të shëmtuar seancën e sotme parlamentare ku po raporton Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku.

“Nuk ka asnjë kuptim t’i jepni shqiptarëve iluzionin se në kuvend po ndodh diçka tjetër përveç vjedhjes. Prania e prokurores së përgjithshme, çertifikata e vjedhjes. Do kishte kuptim nëse do kishte shkuar me pranga dhe tërhiqte zvarrë një duzinë hajdutësh dhe politikanësh të lidhur me krimin në atë sallë që bashkë me pjesën tjetër të rilindësve dele që po bëhen gati për aktin e vjedhjes.
Ç’kuptim ka të raportojmë statistika se sa vjedhës qepësh e preshësh ka kapur prok kur maxhoranca është kapur me presh në duar dhe asgjë nuk i hyn në këmbë. Ky është një teatër i shëmtuar që duhet të marrë fund një orë e më parë.
Të gjithë i kemi dëgjuar thirrjet e qytetarëve dhe artistëve me të cilët pata dje një takim të gjatë për shqetësimin e aktit kriminal që konsumohet sot në parlamentin e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se teatri nuk është shkaku por pasoja e emergjencës kombëtare, një parlament me kriminele, nuk është vendi për zgjidhje, por për të marrë fshesën. “Nuk do ketë më asnjë ligj asnjë pakt asnjë negociatë pa zgjidhur këtë çështje, largimi i politikanëve të lidhur me krimin, nëse kjo nuk ndodh, është detyrë e qytetarëve bashkë me ne të japim zgjidhjen, kur institucionet uzurpohen”, theksoi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb