Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim Ambasadorin e ri të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Basha i bëri një prezantim situatës në vend me theks të veçantë nevojën akute për garantimin e kushteve për zgjedhjet e ardhshme.

“Në mënyrë të qëllimshme, Rama pengon bërjen efektive të komisionit për reformën zgjedhore dhe që prej muajit maj ka refuzuar platformën e paraqitur nga Partia Demokratike për garantimin e zzgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

“Reforma,- theksoi Basha, – u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës”.

Shumë të rëndësishme, e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike, çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.

“Lidhja e krimit me politikën, paraja e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri”, theksoi kreu i opozitës.

“Zgjedhjet e 2015-ës e më pas ato të Dibrës, treguan qartë se Edi Rama do të përdorë paratë e drogës dhe rrjetet kriminale për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi do të blejë pushtet politik. Kjo përbën‎ rrezikun më të madh për zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Basha.

Ai shtoi se zgjedhjet e ardhshme janë dhe arsyeja pse Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ambasadori Borchardt garantoi zotin Basha se OSBE me ekspertët e saj do të angazhohet për të asistuar funksionimin sa me parë të komisionit të Reformës Zgjedhore për të përmirësuar legjislacionin në përputhje me rekomandimet e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: