Nga Deutsche Welle
Lulzim Basha loboi në Berlin për hapjen e negociatave me BE-në. Kreu i opozitës shqiptare ishte në Berlin për të ndërhyrë te miqtë e tij të spektrit konservator për të miratuar hapjen e negociatave.

Ndërsa Komisioni i BE-së paraqiti të martën raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rekomandonte fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, reagimet nga Bundestagu për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë më të rezervuara. Pas një takimi të martën në Berlin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, i tha DW (shqip) se rekomandimi i komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave:

Gunther Krichbaum për DW (shqip): “Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste. Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit. ”

Basha: Negociatat instrument presioni
Një grup deputetësh nga Partia Demokratike, të kryesuar nga kryetari i saj, Lulzim Basha, zhvilluan të hënën dhe të martën në Berlin disa takime për të bindur politikën gjermane, e sidomos partitë simotra anëtare të Partive Popullore Europiane, që me gjithë mangësitë reale të Shqipërisë, të japin dritën e gjelbër për çeljen e negociatave.

Lulzim Basha për DW(shqip): “Ne kërkojmë hapjen e negociatave si një mbështetje për gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë në Europë, po kështu po u kërkojmë miqve, të cilët janë skeptikë për përmbushjen e pesë kritereve të Komisionit Europian, votën e tyre për hapjen e negociatave, edhe si një instrument presioni për plotësimin e kushteve të paplotësuara, në veçanti për luftën kundër kapjes së shtetit me interesat kriminale, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për zbatimin e plotë dhe të drejtë të reformës në drejtësi, reformës në administratën publike e në veçanti reformën zgjedhore.”

Në kuadër të udhëtimit të tyre, të organizuar nga Fondacioni i CDU-së, Konrad Adenauer, deputetët e opozitës zhvilluan takime edhe me deputetë të Komisionit të jashtëm si edhe me këshilltarin e kancelares Angela Merkel, për çështjet e sigurisë dhe të punëve të jashtme, Jan Hecker.

Rama në Berlin
Por Basha nuk është i vetmi politikan shqiptar që lobon tek parlamentarët gjermanë për hapjen e negociatave. Së fundi, edhe ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, (PS), kishte qenë në Berlin për të njëjtin qëllim, ku ndër të tjerash kishte pasur një seancë dëgjimore edhe në Komisionin Europian.

Krichbaum për DW (shqip): “Mesazhi ynë është i njëjtë për të gjithë. Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por reformat bëhen për të çuar përpara vendin. Ndaj unë pres në këtë drejtim një luftim më të vendosur të korrupsionit, të krimit të organizuar, sigurisht nevojiten edhe reformat ekonomike, kështu që ka ende shumë punë.”

Grupi parlamentar i CDU/CSU është më i madhi në parlamentin gjerman. Prandaj dhe vota e tij për fillimin e negociatave të Shqipërisë është e domosdoshme. Por, nga ana tjetër, ajo votë do të influencohet në masë të madhe nga kryetarja e CDU-së, njëkohësisht kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Dhe, nëse ajo është për fillim të menjëhershëm të negociatave apo jo, këtë shpresojmë ta mësojmë javën e ardhshme, kur të takohet në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb