TIRANE

Prej disa ditësh banorët e zonës përgjatë Astirit në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për shembjen e banesave të tyre për shkak të projektit të ‘Unazës së Re’, kanë bllokuar rrugën. Ndaj edhe sot ata zgjodhën të bënin të njëjtën gjë, ndërsa shprehen të bindur se nuk do të pranojnë zgjedhjet alternative që u ka dhënë qeveria.


Pranë banorëve të kësaj zone shkoi kryedemokrati Lulzim Basha, i cili zhvilloi një takim me disa prej tyre ku foli lidhur me shqetësimin e tyre. Gjatë takimit me Bashën, protestuesit kanë kërkuar dëmshpërblim të plotë për shembjen e shtëpive.

Basha tha se është i tronditur dhe i shokuar, pasi 400 familjeve po u prishen banesat.

“Para se të flas unë dua tju them se prania juaj këtu është e domosdoshme, pasi është fati i 400 familjeve që e keqja u ka trokitur në derë. E kam ndjekur këtë çështje që nga minuta e parë. Jam ndjerë i tronditur dhe i shkuar nga ajo që kam parë. U ballafaqova me dramën e këtyre familjeve dhe të mijëra shqiptarëve që po vendosen në një presion psikologjik”- tha Basha.

Po ashtu Basha iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në Unazën e Re, dhe mos të presin që t’u vijë e keqja tek dera e shtëpisë.

“Asgjë nuk respektohet, pasi Edi Rama dhe Veliaj kanë një projekt bashkë me një grup oligarkësh dhe bandash që duan të pastrojnë paratë e drogës. Shkelin ligjin dhe Kushtetutën për të shkatërruar shtëpitë. Një pjesë e tyre të legalizuara dhe një pjesë në proces. Kjo është dëshmia më e qartë se ku ka përfunduar Shqipëria. Sa e rrezikshme është kjo bandë e kam paralajmëruar. Mos prisni që t’u vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj, por ejani këtu. Mbroni ligjin, Kushtetutën. Në këtë skandal s’ka asgjë të ligjshme. Shteti ka shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është rezistenca e këtyre banorëve. Shkelja e ligjit është tipar i kësaj qeverie. Ky është mesazhi i PD. PD ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të tyre me këshilltarë dhe deputetë. Do qëndrojmë pro kauzës së këtyre banorëve”, përfundoi Basha.

Basha
Basha

Në mbështetje të banorëve në protestën që u zhvillua sot që prej orës 7 të mëngjesit ishin dhe deputetë të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, Oriola Pampuri si dhe Klevis Balliu. Ndërkohë, në një lidhje direkte për ‘News24’ deputetja Pampuri pohoi se ata do të qëndrojnë deri në momentin e fundit pro banorëve, deri sa ata të marrin dëmshpërblimin që meritojnë për banesat e tyre.

45474740 264973047698122 2688728717903003648 N
45474740 264973047698122 2688728717903003648 N

“Deri në momenti e fundit do jemi në krah të banorëve, si në aspektin moral dhe ligjor. Është e patolerushme dhe ka vetëm një zgjidhje, që ata të dëmshpërblehen me çmin e tregut”, tha demokratja. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve shprehën indinjatën se pse policia nuk ishte në vendngjarje, por i lë ata që të përballen me protestuesit.
(ed.me/BalkanWeb)