Kryetari i PD Lulzim Basha ka takuar sot fermerët në Devoll, ku tha se qeveria e ardhshme demokrate ka një program të qartë për zhvillimin e bujqësisë. Basha u shpreh se do i thuhet ‘Stop’ abuzimeve me subvencionet.

Basha premtoi se do iu jepet fund monopoleve në bujqësi dhe kjo do të çojë në ulje të çmimeve të produkteve bujqësore. Ai shtoi se beteja e demokratëve është që të çjerrë gënjeshtrat e qeverisë dhe për të promovuar zhvillimin dhe jo marrjen peng të bujqësisë dhe të blegtorisë në vend.

Fjala e plotë e Bashës në Devoll në takimin me fermerët:

Ne do të kemi një skemë vjetore prej 100 mln euro subvencione për fermerët. Ekspertët më të mirë po ndërtojnë skemën se si do ndahen suvenv. Kriteret kryesore janë sipërfaqja e tokës që kultivohet dhe numri i krerëve që do mbarështohen. Kriteri tjetër do të jetë sasia e produktit dhe do të ketë një shkallare për të nderuar si prioritar produktin shqiptar. Subvencionet do të jenë shtylla e parë në mbështetje të fermerëve, 100 mln euro për 360 mijë familje fermere.

Shtylla e dytë është mbështetja për infrastrukturën. 50 mln euro në vit për infrastrukturën bujqësore, rrugët e fshatrave, aksesi nëpër ara, shtrirja e linjës elektrike për rrjetet ujitëse, këtu hyn edhe subvencionimi i infrastrukturës ruajtëse dhe përpunuese, si depot, magazinat, etj. Imagjinoni sa mjerim më vjen në shpirt kur ju i kërkoni kryetarit të bashkisë një pikë për të hedhur produktet tuaja, pra një varrezë për prodhimet tuaja. Kurrë s’do ta pranoj këtë realitet.

Të ndalet konkurrenca e pandershme nga prodhimet e subvencionuara është kolona jonë e tretë. Trau për këtë konkurrencë të pandershme. Fermerët shqiptarë janë të parët për Partinë Demokratike. Pra, në fillim do të shitet molla e Devollit, pastaj do t’u vijë radha të tjerëve.

Që të marrë fund korrupsioni me subvencionet duhet të marrin fund monopolet Fundi i monopoleve në bujqësi do të mundësojë që ju tu vijnë produkte me cilësi të lartë. Tjetër masë që do ju ndikojë pozitivisht është ulja e çmimit të energjisë. A e dini se energjia në kaskadë kushton vetëm 0,9 lekë. Duke e rritur çmimin deri në 1300 përqind është një skemë e madhe korruptive. Ulja e çmimit do të sjellë përfitime. Do të rikthejmë fashën e 200 kilovatëve për familjarët por do ulim edhe çmimin për bizneset që prodhojnë. Me prodhimet tuaja ju do i bëni një shërbim të madh vendit, pasi do përfitojnë edhe konsumatorët e qytetit.

Padyshim, e ashtuquajtura reformë e pensioneve ka bërë dy gjëra: rritur kontributin e fermerëve, duke e bërë të papërballueshëm dhe ka rritur mundësinë që skema të bëhet e pamenagjueshme. Kur e kupton se e ke bërë gabim, duhet ta ndalësh, të kërkosh ndjesë dhe pastaj ta përmirësosh. Këta s’janë as tek pika e parë. Do t’i japim fund kësaj skeme që po e falimenton krejt piramidën e pensioneve. Pensioni në fshat s’mjafton as për ilaçet, pra as për të paguar faturën e energjisë.

Jemi sot këtu që me 11 maj e deri me 30 qershor të mos lejojmë EdI Ramën të asgjësojë demokracinë. Demokracia s’është dëshirë, është raport i ndërsjellë: ti më beson programin tim, unë marr përsipër për të qeverisur dhe realizuar premtimet. Kush nuk mban fjalën, largohet me votë. Është çështje lirie dhe demokracie. Liria është aty ku qeveria ka frikë popullin, tirania është aty ku populli ka frikë qeverinë. Nëse s’çlirojmë votën, do jemi në fazën ku do i nënshtrohemi qeverisë së kriminelëve. Kriminelët kërkojnë edhe bashkëpunimin tim, po a ka njeri që do më thotë se unë jam ulur me ndonjërin prej tyre? Përkundrazi, unë kam miratuar ligjin e dekriminalizimit, ligjin më të ashpër të mundshëm. Është jetike kjo betejë, sepse politikani që e lidh fatin me krimin nuk mund t’u shërbejë kurrë ju. Duhet ta këpusim këtë nyje gordiane. Prandaj e kemi nisur këtë betejë me 16 shkurt.

Beteja bëhet që të vendosin shqiptarët se kush do të jetë qeveria dhe ta shkarkoni ju kur nuk mban premtimet. Kjo është beteja jonë me dy fjalë. Thelbi është ky: a do kemi mundësi të votojmë të lirë për të zgjedhur dhe shkarkuar qeveritarët sipas mendimit tuaj. Sot kjo liri mungon. Jo se e them unë, PD apo media, por i kanë kapur me presh në duar duke vjedhur votat me kriminelët. Prandaj sillet kështu Edi Rama, se pushtetin e ka marrë me ta, kriminelët, prandaj kujdsein e ka për ta, jo për qytetarët. Kjo është nyja që duhet të këpusim. Gjysmën e punës e kemi bërë, kemi 11 javë qëndresë në Tiranë e në Devoll. Vegla kryesore se si sundoi Enver Hoxha për 50 vjet ishte duke vrarë shpresën për t’u ngritur. Ky s’guxon dot t’i vrasë, por po kërkon mënyra për t’i shkurajuar, duke i kërcënuar me largim nga puna, me shantazh për në burg, me rritje taksash e tarifash. Shkurajimi është arma kryesore, por tashmë i është topitur tehu, nuk i pret më thika. Ai ka marrë grushte nga studentët, qytetarët dhe nga opozita. I është çjerrë maska para gjithë botës. Prandaj ska njeri që në Shqipëri do të ketë zgjedhje të parakohshme. Po cfarë, do lejojmë që këto zgjedhje t’i diktojë prapë krimi? Këtu në Devoll ju qendruar më 2017-n, por mos harroni se kjo betejë duhet fituar çdo ditë. Prapë na presin beteja të tjera se në pushtet vetëm me zgjedhje vihet. Asnjë zgjidhje nuk vjen pa sjellë votën e lirë. Ndaj derisa gjysmën e kemi bërë, e kemi pluguar, e kemi mbjellë, kemi hequr barërat e këqija, tani jemi shumë afër fitores së betejës. Që betejën ta çojmë deri në fund duhet të jemi në këmbë, në protestat që do vijnë, duke filluar nga protesta e kësaj të shtune. Nga fati i protestave, i bashkimit të shqiptarëve në këto javë do përcaktohet fati i Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshme. Nuk e kemi luksin ta humbim këtë betejë.

 (d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb