Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jep një mesazh pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, teksa shprehet se Shqipëria ka mbetur në vend numëro me Edi Ramën.

Në mesazhin e tij, Basha thekson se “Vendi ka shënuar shumë dështime në 8 vitet e qeverisë së Edi Ramës. Qindra mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar drejt vendeve të tjera”.

Mesazhi i Bashës:

Diskutova sot me përfaqësues të shoqërisë civile rreth vizionit të Partisë Demokratike për integrimin europian të Shqipërisë. Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Edi Ramën. E gjeti vendin me 3 kushte, edhe ato të plotësuara, dhe e ka larguar nga Europa duke na vënë në mes një mur prej 15 kushtesh. Largimi nga BE-ja u ka kushtuar shqiptarëve qindra miliona euro fonde për biznesin, bujqësinë, teknologjinë dhe rininë.

Diskutuam me përfaqësuesit e shoqërisë civile për programin e Partisë Demokratike “Shqipëria fiton!”. Gjithashtu, prezantova përpara tyre angazhimin tim personal dhe të koalicionit të opozitës së bashkuar, për të organizuar brenda 6 muajve të parë të qeverisjes tonë, Konferencën e parë Ndërqeveritare Bashkimi Europian – Shqipëri.

Vendi ka shënuar shumë dështime në 8 vitet e qeverisë së Edi Ramës. Qindra mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar drejt vendeve të tjera. Shqipëria kryeson mbi vende si Siria dhe Afganistani për kërkesat për azil në vendet e BE-së. Për çdo të ri që ikën nga Serbia, 12 të rinj largohen nga Shqipëria. Investitorët e huaj janë larguar dhe i kanë zhvendosur projektet e tyre drejt vendeve fqinje.

Ndamë pikëpamjet e njëjta se demokracia në Shqipëri vitet e fundit ka bërë hapa të rrezikshëm pas. Ne angazhohemi për një parlament përfaqësues dhe të pastër nga lidhjet me krimin, një qeveri të përgjegjshme, drejtësi të pavarur, media të lirë dhe opinion publik aktiv. Një kushtetutë e re është bërë e domosdoshme për Shqipërinë europiane, që i jep fund autoritarizmit dhe vendos balancën e pushteteve. 25 prilli nuk është vetëm një garë elektorale, por është një udhëkryq ku vendoset e ardhmja europiane e Shqipërisë. Është dita kur Shqipëria fiton dhe Rama humb!
#SHQIPERIAFITON

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb