Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një seri takimesh me fermerët në Berat ku është njohur me problemet dhe shqetësimet e tyre.

Basha thotë se në qeveri do të japë subvencione në masën 100 milionë euro si Kosova dhe Maqedonia e Veriut sipas prodhimit ndërkohë investimet do jenë gjysma për infrastrukturën rurale.

Po ashtu ai premtoi se do të heqë taksën e qarkullimit për karburantin të vendosur nga Rama që do të bëjë që feremrët ta blenë karburantit 240 lekë më lirë.

“U hodhën poshtë sallatorët, humba 100 kuintal. S’kishte kërkesë fare. E hodha në kanal. Humba shumë se nafta ka shumë shpenzime”. – tha një fermer, ndërsa një tjetër tregoi se nuk ka marrë kurrë subvencione. “Unë aq sa e kam, prej 10 vitesh as një diçka nuk kam marrë nga shteti.”- i tha një fermer tjetër kreut të opozitës. “Nuk e mbuloj dot as koston. Jam detyruar të vendos ullinj poshtë, ku kam pemëtari, se s’kemi ç’bëjmë, t’i presim te bëjmë dru nga e keqja. Nuk ia dilet! Plehrat kimike që hedhim ne aty me pikatore, ajo është pikë gjaku për ne, se janë shumë shtrenjtë. Të hash atë domate me 4 mijë- 6 mijë lekë kilen e plehut është tmerr!”- tregoi vështirësitë e mëdha një fermer.

“Dy gjërat kryesore që duhen bërë urgjentisht. E para, mbështetja për çdo fermer në bazë të prodhimit. Siç i mbështet Maqedonia dhe Kosova. S’po them si i mbështet Gjermania, por, të paktën, aq sa ç’bëjnë në Kosovë, do të bëjmë edhe ne për ju. Dhe e dyta ulja e çmimit të naftës që të paktën t’i shikoni hajrin punës, jo ta punoni gjithë sezonin dhe pastaj ta hidhni prodhimin në kanal.
Do të ndërmarrim masa që prekin të gjithë njerëzit ,por që do t’ju ndihmojnë në veçanti ju, siç është ulja e çmimit të karburantit. 240 lekë më lirë do të jetë karburanti, sepse ne do ta heqim taksën e qarkullimit që vuri ky. 2 herë nga 100 lekë plus TVSH, 240 lekë më lirë do ta blini karburantin. Treg i monopolizuar, përfitojnë 5 veta, ndëshkoheni ju që jeni prodhuesit, ndëshkohen dhe konsumatorët. Pse? Sepse fitojnë vetëm 5 veta.”- u shpreh zoti Basha.

Një problem që u ngrit pothuajse të gjithë fermerët ishtë mungesa e linja të energjisë elektrike dhe çmimi i saj i lartë.

“Korenti paguhet 168 lekë, po të vadisësh domatet me 168 lekë korentin. Të paktën të ishte sa i furrës së bukës”- tha një fermer në Berat. “Shteti s’na e bie korrentin këtu. Tërë ato sera këtu, na e sill. Të jap unë atë kontratën. Sa do? 1 milionë. Do ia jap unë kontratën. Një herë ta bëjmë kontratën, edhe paguaj detyrimet që më takojnë.”- u shpreh një fermer, ndërsa një tjetër iu bashkua kreut të opozitës në domosdoshmërinë e bashkimit pëe të bërë betejën që qeveria të mbrojë interesin e qytetarëve.

Fermeri: Të vijë ajo energjia këtu do të jetë gjë e madhe.
Basha: Duhet të keni shtetin në krahun tuaj si fillim. Nuk kërkoni lëmoshë, ju thjesht kërkoni mundësitë për të punuar. Na pret një betejë për ta bërë këtë.
Fermeri: Pse mos ta bëjmë?
Basha: Shteti sot në krahun e pesë vetave është. Ju punoni nga mëngjesi deri në darkë në sera, nëpër ara, për të përfituar 5 veta. Kësaj do t’i japim fund. Për këtë ju jap fjalën. 5 veta nuk do të jenë më padronët e Shqipërisë e të djersës tuaj. Ky shtet sillet si bandë me njerëzit, prandaj kemi ardhur këtu ne. Nuk sillet që t’ju mbrojë edhe të promovojë interesat tuaja, t’ju ndihmojë, po ku e ku t’ju vërë shkelmin në fyt. Prandaj duhet të ndryshojë një orë e më parë. Këtë kam ardhur t’ju them, një orë e më parë, që ta keni shtetin në krah e jo ta keni kundër.”- theksoi kreu i opozitës gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Berat.

Duke mbështetur plotësisht kërkesat e fermerëve, zoti Basha tha se qeveria e ka për detyrë të ndihmojë gjysmën e pooullsisë dhe jo ta konsiderojë mbështetjen për ta si një lëmoshë.

“Subvencionet një, ulja e çmimit të naftës dy dhe aksesi në treg tre. Këto duhen bërë. Subvencionet sipas prodhimit.”- tha zoti Basha.

Kreu i opozitës siguroi fermerët se bujqësia do të jetë prioritet për qeverinë e tij. “Kjo do të thotë dy gjëra. Në rradhë të parë, do të thotë që për gjithë vendin, do të kemi një buxhet për mbështetjen direkte për fermerët sipas prodhimit. Nuk do të jetë për grumbulluesit, do të jetë për fermerin sipas prodhimit. Do të të njëjtën masë që i ka Kosova dhe Maqedonia. 100 milion Euro për të gjithë vendin sipas prodhimit. Gjysmën e kësaj shume, vit për vit do ta shpenzojmë për infrastrukturën rurale, që nga rrugët e aksesit, tek energjia elektrike, tek vaditja, tek kullimi e çfarë ka nevojë bujqësia”- theksoi zoti Basha.

Kreu i opozitës i kushtoi vëmendje edhe një prej probleme kyçe për fermerët, konkurencës së pandershme.

“Ju e keni më kollaj të dilni pa viza në Europë, sesa të çoni prodhimin tuaj në treg. Kjo do të marrë fund. Kontrolli i tregjeve nga monopolistët dhe nga njerëzit e lidhur me pushtetin do të marrë fund. Ju do të keni akses në treg dhe po kështu prodhimet tuaja do të mbrohen, që do të thotë: “ Prodhimet e fermerit të huaj që përpiqen të hyjnë në tregun tonë, do të barazohen sepse ata që marrin subvencione apo i marrin subvencionet më të larta se ju nuk mund t’iu konkurrojnë ju në mënyrë të pandershme para konsumatorëve tanë dhe ne do bëjmë gjithçka që prodhimi juaj të shitet i pari.” Do të bëjmë gjithçka që prodhimi juaj të shkojë në eksport, jo ta hidhni në kanal, sepse është krim. Të gjitha prodhimet që vijnë nga jashtë, të fermerëve të huaj, të subvencionuar në masë më të madhe se fermerët tanë do të kenë tarifën në doganë. Doganat sot janë bërë problem sepse importuesit, një grusht importuesish sjellin prodhimet, shpeshherë skarco, me cilësi më të dobët se tonat, por me çmime më të ulëta dhe mbushin xhepat një grusht importuesish dhe pushtetarët e lidhur me ta. Ndërkohë që gjysma e popullsisë që jeton me tokën, rrijnë me gisht në gojë. Kjo do marrë fund! Doganat shqiptare do të mbrojnë fermerin shqiptar, jo ta ndëshkojne fermerin shqiptar.”

Kreu i opozitës i inkurajoi fermerët të rezistojnë me besimin se duke ndryshuar qeverisjen e vendit, do të bëhet më mirë për njerëzit në fshat dhe në qytet. “Po vjen ndryshimi dhe ka për të qenë në gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në Tiranë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: