TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se vrasja në Bllok dhe plagosja e dy personave erdhi për pazare kokaine dhe jo një sherr banal për një këngëtare siç u shit në opinionin publik.

Basha tha se në ngjarje u përfshinë trafikantë të njohur dhe të lidhur me pushtetin, duke lidhur ish-ministrin Saimir Tahiri me Ervin Matën që është ende në kërkim.

“Ngjarja e fundit në Tiranë, që na u shit për katër ditë si përplasje për një këngëtare, është një përplasje për pazare droge. Janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe dokumentuar me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Sajmir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi ktheu pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal, në goditjen me armë midis bandave rivale”, deklaroi Basha..

Ai tha se bëhet fjalë për pazare kokaine. “Në këtë gjendje që është vendi opozita nuk bën dot prokurorinë por ka për detyrë të paraqesë një alternativë. Ajo që tregon ngjarja e bllokut është se shqiptarët nuk janë më të sigurt në asnjë cep të vendit. Krimi është aty me kobure në brez ulur në të njëjtat tavolina me politikanët kryesorë. Në këtë gjendje ku ndodhet Edi Rama ka kaluar në një fazë të re, në fazën e manipulimit. Për 5 vite mohoi drogën. E keni në intervista, deklarata. Nuk mbeti njëri në botë pa e marrë vesh që Shqipëria u kthye në depo droge dhe pranë e mohon”, tha kreu i PD.

Sipas tij, situata ku ndodhet vendi emergjencë kombëtare. “Policia dhe prokuroria mbrojnë kriminelët. Kjo është gjendja ku është katandisur Shqipëria në vitin e gjashtë të qeverisjes së Edi Ramës. Sot është rasti të ndajmë një të vërtetë tragjike. Në Shqipëri ka rënë rendi kushtetues. Gjithë shoqëria duhet të bëhet pengesë për krimin, media, bizneset, shoqëria civile, politika, qytetarët. Të gjithë janë të kërcënuar nga krimi dhe të gjithë kemi detyrë të denoncojmë lidhjet e krimit me politikën. Kjo nuk është një situatë që kalohet me batuta. Askush nuk duhet të ketë iluzionin se Edi Rama do të ndalet. Edi Rama është i zhytur në krim dhe i ka lënë peng krimit Shqipërinë”, theksoi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb