LEZHË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë sot në Lezhë për të mbyllur fushatën elektorale në këtë qark 11 orë para nisjes së heshtjes zgjedhore. Basha deklaroi nga Lezha e “Besëlidhjes së Kastriotit” se sot jemi të gjithë bashkë të vendosur për ndryshimin dhe se do jetë fitorja më e thellë.

Ai tha se orët e së keqes po numërohen mbrapsht dhe ora për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve po afron.

Premtimi që bëri kreu i PD nga Lezha, ishte heqja e moratoriumit të gjuetisë, për të cilin tha se është bërë monopol ndërsa do iu kthehet lezhjanëve sipas parimeve europiane.

Basha i bëri thirrje dhe administratës publike të çlirohet skllavëria duke votuar Partinë Demokratike.

“Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra lezhjanë, mirë se ju gjej rini e Lezhës, nëna dhe baballarë. Mirë se ju gjej në qytetin e Besëlidhjes së Kastriotit ku princat shqiptarë u bashkuan dhe përmes bashkimit i dhanë fuqi, lavdi dhe fitore Arbërisë. E nuk e lanë të fiket vatrën e shqiptarisë. Ja ku jemi prapë sot, stërnipër të atyre princave, bashkë për ndryshim, të vendosur me zemrat plot besim se fitorja që po vjen do të jetë fitorja më e thellë, më e bukur, më e madhe, fitorja e çdo lezhjani, çdo lezhjaneje, fitorja e të gjithë shqiptarëve.
8 vite nëpërkëmbje, vuajtje dhe mjerim, 8 vite padrejtësi, shpunësim dhe emigracion, këto janë veprat e vetme të atij që për 8 vite nuk mbajti një premtim, që nuk dha asgjë, por vetëm mori nga Lezha dhe mbarë Shqipëria. Orët e së keqes po numërohen mbrapsht, ora për t’ia kthyer Lezhën lezhjanëve po vjen. Ora për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve po afron dhe kjo do të ndodhë me votën tuaj masive ditën e diel, 25 prillin e ndryshimit duke votuar numrin 9. Për Lezhën, për prindërit tanë, për fëmijët e Lezhës, për zhvillimin, sipërmarrjen, peshkatarët, për t’i dhënë fund monopoleve që kanë pasuruar një grup njerëzisht. Për t’i dhënë fund masave si moratoriumi korruptiv për gjuetinë. Monopol i pushtetarëve. Do ta anulojmë dhe do t’ua kthejmë shqiptarëve, në përputhje me parimet europiane. Do t’iu kthejmë lezhjanëve, kurbinasve dhe mirditorëve krenarinë që iu takon. Sot i ka të gjitha mundësitë të jetë Lezha e Shqipërisë, Lezha e Kosovës, Lezha e Ballkanit, Lezha e Europës. Sepse nga Lezha ka nisur një histori e madhe, një histori e pathyeshme, e cila shndrit edhe sot 6 shekuj më vonë. Ne jemi stërnipër të Kastriotit, ne jemi shqiptarët, ne jemi populli të cilit i takon ky vend dhe ky vend nga Shëngjini në Velipojë, nga Shkodra në Sarandë, nga Durrësi në Konispol, nuk është i Edi Ramës, është vendi jonë. Kjo është Lezha juaj dhe e juaja do kthehet më 25 prill”, tha Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Duke iu drejtuar qytetarëve, Basha tha se e keni në dorë ju, është në dorën tuaj, votoni për prindërit tuaj. “Ju o prindër është në dorën tuaj, votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe të zgjidhim së bashku sfidat e përbashkëta. Të gjithë bashkë në kutitë e votimit, duke votuar të dielën numrin 9. 9 për t’i kthyer dhe administratës shtetërore dinjitetin e munguar. Sot kam një thirrje për çdo punonjës të administratës që është skllavëruar nga padronët që pasurohen çmendurisht duke vjedhur taksat e shqiptarëve, harrojini tam-tamet e atij që e di se më 25 prill, ditën e diel e pret humbja më e thellë. Asnjë frikë për ju, më 25 prill ne do të largojmë vargonjtë që ju kanë skllavëruar, padronët që ju shfrytëzojnë deri në palcë për bukën e gojës të fëmijëve tuaj dhe ju do keni mundësi të shërbeni me nder ligjit dhe qytetarëve. Policia e Shtetit, FA-të, mësuesit, mjekët infermierët, masivisht drejt kutive të votimit, marshojmë krah për krah për fitoren më të thellë, fitoren më të bukur, fitoren e çdo shqiptari.
Për 11 orë do të mbyllet zyrtarisht fushata, ky tur i mrekullueshëm shprese dhe besimi që i ka mbushur zemrat e nënave tona, të motrave tona, të vëllezërve dhe baballarëve tanë me shpresën e ndryshimit për fitoren e sigurt dhe të madhe për fitoren që po vjen”, u shpreh kreu i PD.

Ai theksoi se puna do të vazhdojë orë e minutë ‘që ky gëzim i brendshëm i zemrave të kombit tonë, të kthehet në oqeanin e votave për ndryshim me kutitë e votimit, masivisht në kutitë e votimit’. “Me Lezhën në zemër, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për familjet tuaja, për mirëqenien, për të hapur bashkë pas 8 vitesh dështime, portën e BE, misionit tonë hyjnor dhe për t’i kthyer Lezhës gëzimin, buzëqeshjen e rinisë, të asaj që është sot këtu dhe nuk do ta lëmë të largohet por do arsimojmë e punësojmë, t’i lëmë të punojnë këtu para familjeve të tyre. Ta mbushim Lezhën, këtë trevë fisnike me zërin e foshnjave të porsalindura, punësim për të rinjtë tanë, pensione dinjitoze për prindërit tanë. Shqipërisë të ligjit, të sigurisë, të ekonomisë. Kjo na ka bërë bashkë, bashkë si asnjëherë tjetër, bashkë për ndryshim. Votoni numrin 9. Zoti e bekoftë Lezhën, Shqipëria fiton”, deklaroi Basha

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb