PËRMET- Kreu i Partisë demokratike Lulzim Basha ka qenë në Përmet ku është takuar me banorët e këtij qyteti. Me aktivin e degës në Përmet, Basha ka theksuar edhe një herë parimet që duhet të udhëheqin PD, për të sjellë një ndryshim të besueshëm e të pakthyeshëm në vend, duke e kthyer pushtetin tek qytetarët, duke qeverisur për ta, për nevojat e tyre.
“Hapje, bashkim, qendrim pranë njerëzve”, ka qenës porosia e tij për demokratët e Përmetit.

“Si mund të pranoj të harxhoj për luks zyrash, për bileta avionësh, për karburant, për perde, për orendi 140 milionë dollarë në dy vite. Kur me këto para dhe të tjera të marra së bashku mund të hapen 55 mijë vende pune në vit, me rrogë mesatare 500 mijë lekë. Cila është përgjigjja jonë si demokratë?! Të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Të ndërtojmë një Shqipëri të shumicës dhe jo të pakicës. Si do ta bëjmë?! Duke ndërtuar një qeveri që u vjen në ndihmë njerëzve. Njerëzit që shkëputen nga hallet sapo i hipin pushtetit, nuk janë modeli im, nuk mund të jenë modeli i PD, jam i sigurt që nuk janë as modeli juaj. A ka fushatë më të vërtetë, më besnike ndaj interesave të qytetarëve sesa kjo kur i pyet se si i kanë hallet dhe kur partia i ka të evidentuara këto halle, jo thjesht si teori por si rast pas rasti, me emër dhe mbiemër”, tha ai.

Basha theksoi se njerëzit me reputacion që duan të vijnë të bashkëpunojnë me PD, nuk duhet të shikohen si kërcënim, nuk vijnë të marrin por vijnë të japin. “Vijnë të ndajnë me ne shpresën për një Shqipëri ndryshe nesër. Ndaj kjo porosi është diçka tek e cila dua të insistoj fort sot, hapeni partinë ndaj njerëzve që duan të bashkohen, të japin kontributin e tyre”, tha Lulzim Basha.

Sipas tij, realitetin e rëndë ekonomik e sheh kudo në këtë zonë. “Në Fshatin Kaluth, 15 minuta larg Përmetit preket me dorë përplasja e dy botëve, e botës së luksit të kryeministrit e qeverisë që ka braktisur njerëzit, dhe e botës së mbijetetës të fermerëve që janë në kufinjtë e ekzistencës”, u shpreh kreu i PD.

“Kam dy vajza më kanë mbaruar universitetin, njëra me mesatare 9.5, tjetra me 8.4 dhe asnjë në punë. Futen në punë ata me pesa dhe ata që kanë miq, shokë dhe para”, tha një prind në Kaluth.

“Ky është problemi, kjo duhet ndryshuar. Kjo është ajo që thashë, që i afti dhe i talentuari nuk çan përpara, kurse i korruptuari i paafti ecen përpara. Këtë duhet ta ndryshojmë, këtë do ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Të gjithë bashkë do ta ndryshojmë”, përgjigjet Basha.

“Më dhanë një vit KEMP, ma prenë. Më thanë që duhet të kesh dy gjymtyrët e prera që të marrësh KEMP”, thotë Invalidi Kristo Sotiri që ka dy djem të papunë dhe nuk merr asnjë subvencion pasi ka vetëm një dynym sipas autoriteteve.

“Kam qenë i majtë,- thotë Kristo. Kam parë Edi Ramën pa pikën e mëshirës, më thotë që problemi yt nuk zgjidhet këtu. Po ku zgjidhet problemi, në Greqi?!”

“Problemi i Kristos e para e punës është problem tmerrësisht i dhimbshëm, vetëm ta dëgjosh dhe prekesh. E dyta për fat të keq nuk është i vetmi problem, me dhjetëra, me qindra kam takuar dhe jam i sigurt që janë me mijëra që ua kanë hequr KEMP-in me këtë arsyetim absurd, mizor, kriminal. Sepse një rast i tillë i dhimbshëm duhet të kishte ndihmën e menjëhershme të shtetit dhe jo vetëm që s’të kanë dhënë ndihmë por edhe ndihmën që ke pasur ta kanë hequr. Pse ta kanë hequr?! Të thonë ty që s’kanë lekë. Po pse kanë lekë për palmat nga 600 euro”, tha Basha.

Kreu i PD u angazhua se: Subvencionet do të shkojnë tek çdo fermer. Çdo familje do të marrë subvencione, do të marrë në bazë të punës, në bazë të prodhimit, bujqësi, blegtori pa kufizim. Nuk ka rëndësi nëse ke 1 dynym apo 5 dynym, një kokë lopë apo 15 kokë lopë. Sa do që të kesh, do të marrësh subvencionet në bazë të prodhimit. Qeveria ime do të mbështesë fermerët. Do të kemi në vitin e parë 100 milionë euro në dispozicion vetëm për subvencione dhe 50 milionë të tjera për infrastrukturën, bashkërisht është 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe t’ju them edhe diçka tjetër, është baraz me tenderat që marrin 11 miqtë e Edi Ramës. Aty janë lekët”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: