TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hapur sot fushatën në Durrës, një muaj para votimeve për 6 bashki në vend. Berisha i cili nuk u bë pjesë formale e këtyre zgjedhjeve, pasi KQZ regjistroi koalicionin “Shtëpia e lirisë” LSI-PDK pa komisionin e rithemelimit, ka prezantuar kandidatin Ardi Muka, si kandidat të koalicionit për kryetar të Bashkisë së Durrësit.

Ai iu drejtua veçanërisht kosovarëve në Durrës, ku ka një komunitet të madh për të votuar kandidatin Muka, teksa e cilësoi kryedemokratin Lulzim Basha si njeri pa shtet në qëndrimet politike dhe sulmoi Ballkanin e Hapur.

Berisha tha se pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku numër një i Kosovës, i cili sipas tij ka blerë me para heshtjen e Bashës.

“Asnjëri të mos i lejojë vetes një gabim të tillë. Kurse vota për kandidatin e Lul Bravës, është absolutisht fiks votë për Edi Ramën dhe pushtetin e tij, asnjë dyshim. Ai e di dhe Lulzim Basha e di se çfarë diskreditimi ekstrem ka pësuar ai, në historinë politike të Europës nuk gjen një ish-kryetar partie të ketë pritur me gaz, blinda anëtarët e partisë së tij që tre muaj më parë kishin votuar për të.

Vota për Lul Bravën është njëlloj sikur ta hedhësh në një pus të zi. Sepse është vetëm humbës. Në qoftë se ka njeri në skenën politike të Shqipërisë që këto 30 vite hyri dhe po del si humbës, ky e ka emrin Lulzim Basha, brava. Ndaj dhe thirrja ime vëllazërore, çdo votë për Ardi Mukën, kandidatin e koalicionit të fitores. Ju ftoj ju gjithashtu të votoni jo vetëm për dinjitetin tuaj si njerëz të lirë, por edhe për atdhetarizmin, patriotizmin tuaj. Nuk mund të ndërtohet Shqipëria kurrë nga njerëz që nuk e duan. E ndërtojnë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që e duan atë. Çfarë po ndodh sot. Sot Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në një vasal të Beogradit. Kam biseduar me shumë fermerë. Që të gjithë rrëqethen para idesë së Ballkanit të Hapur sepse do të thotë konkurrenca më pandershme. Në Shqipëri, në mënyrën më fatkeqe, fermerët kanë filluar të therin lopët sepse nuk përballojnë dot qumështin serb, që prodhohet me subvencione të mëdha, këtu nuk jepet asnjë qindarkë.

Në 2013 Shqipëri tejkaloi nevojat e veta për qumësht dhe vezë dhe filloi të eksportojë, sasi jo të pakët sepse kishin një mbrojtje të merituar prodhimet tona. Por të kundërtën për Ballkanin e Hapur… do të më thoshte një ndërtues, mirë shumë për “Ballkanin e Hapur”, pse i thashë mirë shumë, sepse shes apartamente. Për hir të tij, nuk mund të shkatërrojmë një Shqipëri të tërë bujqësore sepse tokë nuk kemi hsumë, por e kemi të klasit më të lartë. Dhe në rrafshin politik, Ballkani i Hapur është vasalitet ndaj Serbisë dhe influencë e Rusisë. Iu bëj thirrje banorëve të Durrësit, u bëj thirrje banorëve të Katundit të Ri, të Rrashbullit  dhe kosovarëve kudo ku janë, se pas Enver Hoxhës, armiku numër një i Kosovës është Edi Rama, i cili ka blerë me para heshtjen e Lul bravës, i cili thotë njëherë se i kam rrënjët në Kosovë, njëherë në Dibër, por në fakt në qëndrimet politike paraqitet apatrid (pa shtet) njësoj si Edi Rama. Stop me Edi Ramën! Mjaft me Edi Ramën! Boll me Edi Ramën! Më 6 mars nuk votoni vetëm për Ardi Mukën, votoni për ata qindra mijëra, të rinj e të reja që morën rrugët e Europës. Votoni për diasporën shqiptarë. Është një votë sa lokale, aq kombëtare. Është një votë sa individuale, sa e rëndësishme për mbarë kombin shqiptar”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb