FIER – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, iu është gjendur pranë sot, fermerëve të përmbytur fierakë. Ai vizitoi fshatrat Shtyllas, Boçovë dhe Rrefik në Fier si dhe Nartën e Vlorës, ku konstatoi diferencim në trajtimin e ndihmave nga shteti për njerëzit dhe “asnjë fije bar” për bagëtitë.

Ai është informuar nga kryeplaku i Shtyllasit se në 8 ditë, asnjë zyrtar nuk i ka vizituar, se janë mbi 4 mijë krerë bagëti pa ushqim. Madje, janë mbytur 1500 shpendë dhe askush nuk ka shkuar të informohej.

Duke parë këtë situatë, kryedemokrati i ka bërë thirrje Qeverisë nëpërmjet mediave që të hapë arkën dhe të ofrojë ndihma, në vend që të bëjë taksistin dhe llogaritarin, pasi situata nuk mund të përballohet vetëm me solidaritet.

Duke postuar fotografitë në rrjetet sociale, gjatë lëvizjes së tij në zonat e dëmtuara, Basha i ka shoqëruar ato me përshkrime, për të treguar dëmet dhe faktin se “askush nga shteti nuk është dukur akoma”.

Basha shkruan: “Në Shtyllas të Fierit, ku janë përmbytur tërësisht 500 hektarë tokë dhe ushqimi për mbi 4 mijë krerë bagëti. Askush nga shteti nuk është dukur akoma. Asnjë ndihmë nuk është shpërndarë. Banorët ankohen se po diskriminohen në frymën e persekutimit të dikurshëm. Një ngarkesë me ushqim për bagëtitë e nisur me ndihmën e degëve të PD Kavajë dhe Durrës do të mbërrijë sot. Por kjo është e pamjaftueshme. Ku është shteti?

basha ne shtyllas

Qindra banorë të Boçovës janë mbledhur të revoltuar para qendrës së shpërndarjes në Qarr. Nuk kanë marrë asnjë ndihmë, “as një fije bar” siç thanë disa prej tyre. Ndihmat, sipas tyre ndahen natën dhe sipas preferencave. “Pse kështu? Përmbytja nuk na ndau, qeveria na ndan në të nënës e të njerkës. Taksat i paguajmë të gjithë njelloj. Ndihmat i marrin vetëm disa”. Askush nuk iu përgjigjet. Magazina në Qarr është e mbyllur, shteti është memec.”

basha ne bocove

Në Rrethfik, uji mban të rrethuar dhjetëra familje dhe ka prishur të gjithë bazën ushqimore për bagëtinë. Banorët janë në gjendje të dëshpëruar. Edhe këtu ankohen për braktisje dhe diskriminim. Ato pak ndihma që erdhën para 5 ditësh, u ndanë me mik. Shumica mbeti pa marrë asgjë.
Në Poro, banorët kanë humbur të gjithë bazën ushqimore për lopët dhe delet. 70 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur dhe janë nën gjysëm metër rërë. Ujësjellësi që furnizon 15 fshatra është vetëm 10 metra larg gllabërimit nga Vjosa. Askush nuk ka ardhur t’i shohë, t’i dëgjojë apo t’u qajë hallin,” shkruan Basha.

10606373_882566115127904_264164060789876539_n

Kryetari i PD-së ka udhëtuar më pas drejt Vlorës, ku është ndaluar në Nartë për t’u takuar me banorët. ai ka parë edhe digën, e cila vazhdon të jetë e hapur dhe ka dëgjuar shqetësimet e banorëve për rrezikun e përmbytjes së 50 shtëpive. Në këtë takim, Basha ka kërkuar nga ekspertët dhe autoritetet të vlerësojnë me seriozitet, situatën.

Po sot, anëtarë të PD-së janë solidarizuar me banorët e zonave të përmbytura dhe kanë ofruar ndihma, kryesisht ushqim për bagëtitë në këtë zonë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb