TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë në Vorë sot ku është takuar me qytetarët dhe ka dëgjuar problematikat e tyre, një prej tyre rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti apo problemet me pronat.

Banorët thanë se edhe pse procesi i rindërtimit ka filluar me vonesë, ai po bëhet duke u bazuar në interesa personale dhe po përballen me grabitjen e pronave private nga eksponent të qeverisë.
Basha e cilësoi rindërtimin dështim deri tani dhe tha se qeveria pas 25 prillit do ta ketë prioritet, duke premtuar drejtësi, shpërndarje të parave në dorë për familjet e dëmtuara që duan të ndërtojnë shtëpitë në zonat rurale dhe transparencë për rindërtimin në zonat urbane.

Lulzim Basha: Përshëndetje! I keni ndërtuar me kursimet tuaja nga emigracioni?
Qytetari: 15 vite në Greqi.
Lulzim Basha: Ndërtesa nuk ka dëmtime apo jo?
Qytetari: Nuk ka, por do prishet. Po prishet dhe pallati, do prishen edhe shtëpitë atje në atë anë!
Lulzim Basha: Taksapagues i rregullt, gjithçka në rregull, pallati është me hipotekë me të gjitha në rregull?
Qytetari: Po!
Lulzim Basha: Dhe më thonë që duan të prishin dhe kopshtin e fëmijëve?
Qytetari: Kopshtin e patën planifikuar për ta prishur, edhe akoma…
Flamur Noka: Këtu ka një gjë, se e kemi diskutuar me të gjithë si problem, Kapja e trojeve këtu kërkon të lëshojë rrënjë. Kandidati për deputet i Rilindjes, është pjesë e kësaj mafie këtu.
Lulzim Basha: Kush ashtu?
Flamur Noka: Fidel Ylli.
Lulzim Basha: Prandaj e paskan vendosur këtu, për të grabitur!
Flamur Noka: Nuk duan t’ia dinë se ka punuar 30 vite në kurbet, se është rraskapitur, se ka derdhur mund, djersë dhe gjak, vetëm rrëmbim!
Lulzim Basha: I gjithë rindërtimi është dështim sepse po të kishin dashur të ju ndihmonin njerëzit. Gjëja e parë që do kishin bërë, do kishin para për ata që t’i ndërtonin shtëpitë vetë. Nuk e bënë këtë sepse donin të bënin tendera që të vidhnin, tendera që ja kanë dhënë shokëve, miqve, vëllezërve të deputetëve. Edhe këtu në Vorë është e njëjta skemë, është e njëjta skemë si kudo në Shqipëri, gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë, njerëzit janë akoma në çadra. Njerëzit kaluan dimrin e dytë në çadra ndërkohë që këta bëjnë tendera sekretë, bëjnë tendera fals që i fitojnë gjithmonë kushërinj, vëllezërit apo edhe vetë kompanitë e deputeteve, nga Fidel Ylli tek Sadri Abazi me shokë. E kjo është arsyeja pse e kanë vendosur atë këtu për të deputet. Tani dua t’i them Andreas dhe të gjithë ata që janë dëmtuar nga tërmeti në zonën ë Vorës, por edhe kudo në zonat që dëmtoi tërmeti në Shqipëri nga Durrësi në Kurbin, në Tiranë e kudo tjetër, procesi i rindërtimit është prioritet absolut i qeverisë që do të dalë pas votës së 25 prillit. Gjëja e parë që do të bëjmë është që do të vendosim drejtësi përmes transparencës. Nuk do të diskriminojmë askënd, do të bëjmë shpërndarjen me shpejtësi të parave në dorë për të gjithë ato familje që mund ta ndërtojnë, ta riparojnë, apo ta rindërtojnë nga fillimi shtëpinë në zonat rurale. Ndërsa ndërtimi i shtëpive apo i apartamenteve në zonat urbane do të bëhet me transparencë absolute, duke respektuar pronat e qytetarëve. Gjithçka tjetër që është bërë deri tani do të shkojë para drejtësisë. Të prishësh kopshtin e fëmijëve, të grabisësh pronën e qytetarëve këtu në mes të Vorës, të njëjtën gjë më thanë në mes të Durrësit, të njëjtën gjë më thanë kur isha në Kombinat. Për 8 vite me radhë, vendin e kanë qeverisur mafiozët me në krye Edi Ramën. Ndaj, në 25 prill, pasi të kemi larguar edhe këta mafiozë, do t’u kthehen pronat e shqiptarëve, nga Vora në Durrës dhe kudo dhe ne do ta përshpejtojmë procesin e rindërtimit. Do ta përshpejtojmë duke ju dhënë drejt për drejt shpërblimin financiar sipas dëmit e jo sipas ndarjes në të nënës dhe të njerkës dhe do ta përshpejtojmë duke ndërtuar pronat e qytetarëve aty ku i kanë patur, ne Kombinat në Vorë e kudo tjetër. Të bëhemi të gjithë bashkë dhe mos lëmë asnjë jashtë bashkimit të shqiptarëve kundër të keqes. Bashkë do ta sjellim ndryshimin, Vora fiton, Shqipëria fiton!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: