TIRANË – “Ah, tani problemi s’është më pse s’ka ndihma, po ku i gjetëm ndihmat për të përmbyturit. Dhe për këtë SHQUP-i kërkon llogari !– Kështu shkruan sot në mënyrë habitore dhe ironike njëherësh, kreu i Qeverisë Edi Rama, në përgjigje të njërës prej dhjetra kritikave që i janë drejtuar sot nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, tha ndër të tjera se ndihmat që qeveria po i propagandon si të sajat në zonat e përmbytura, në fakt janë të dhuruara nga sipërmarrësit, të cilët nuk duhen të mbahen fshehur: “Një Kryeministër nuk hiqet sikur ka shpikur dele apo lavatriçe.”

“T’i gëzojnë delet, t’i gëzojnë frigoriferët dhe lavatriçet ata që po i marrin për të zevendësuar të mbyturat e të prishurat nga vërshimi, – tha Basha në mblehdje. – Ne kemi bërë thirrje për solidaritet, vetë kemi dhënë e po japim shembullin tonë me njerëzit tanë. Por, kur bën sikur po i jep kryeministri, duhet të ketë trasparencë për publikun. Kush i ka dhënë, kush po i jep? T’i jemi mirënjohës atij që i jep dhe ta dimë të gjithë se po i jep me zemër.

Një kryeministër normal nuk e fsheh autorësinë e sipërmarrësve që ofrojnë ndihma, nuk hiqet sikur ka shpikur dele apo lavatriçe duke fërkuar mollëzat e gishtave. Ndihmat regjistrohen, ndihmat jepen nga subjektet, ndihmat u jepen banorëve, dhe jo kryeministrit. E kundërta ka ndodhur me shfaqjet televizive të dhurimit të ndihmave që ka organizuar Rama me shpurën e tij. Kjo ngre dyshime për bonuse që mund të kërkojnë nga kryeministri dhe qeveria, këta bamirës anonimë,” – ka ngritur dyshimet kryedemokrati.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: