TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se nuk ofron mrekulli por se njerëzit e zhgënjyer janë një mundësi e madhe. Gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin Kombëtar të PD, Basha tha se shqiptarët duan një vend normal ku të jetojnë të sigurt, ndërsa theksoi se politikanët hajdutë e arrogantë duhen çuar para drejtësisë.

“Në mënyrë ironike zhgënjimi i shumë shqiptarëve është sot një mundësi e madhe: sepse shqiptarët nuk presin nga politika mrekulli por normalitet. Ata duan që Shqipëria të jetë një vend normal, ku njerëzit jetojnë të qetë dhe të sigurt.
Ndonëse të gjithë e kuptojnë se do të duhet kohë që ne të krijojmë mirëqenien europiane, të gjithë duan që sot atë që është e mundur, t’u garantohet liria dhe t’u jepen mundësi për punësim, arsimim, shëndetësi, kujdes social, të paktën t’u garantohen gjerat minimale, buka, uji, dritat. Duan që në Shqipëri të sundojë rendi, të sundojë ligji, të sundojë paqja. Të gjithë presin që të jenë të mbrojtur dhe të sigurt, të sigurt nga krimi, të mbrojtur nga burokratët dhe qeveritarët, të mbrojtur nga padrejtësitë. Me pak fjalë shqiptarët duan normalitetin europian të jetës, shoqërisë dhe politikës, edhe pse janë shumë më të varfër”, tha Basha.

Kreu i PD u shpreh më tej se shqiptarët duan thjesht mundësi dhe nuk duan politikanë që vijnë si shpëtimtarë kur në fakt misioni i tyre është të kujdesen për mirëqenien personale në kurriz të shqiptarëve.

“Por duan politikanë të përgjegjshëm që u ofrojnë mundësi e përkujdesje qytetarëve të tyre.Edi Rama thotë se Zvicra është e mërzitshme, sepse atje nuk ndodh asgjë, kurse Shqipërinë interesante sepse këtu ndodhin shumë gjëra. Në fakt Shqipëria është interesante vetëm për Edi Ramën, sepse me pushtetin e marrë me hajdutë dhe kriminelë ai është pasuruar në mënyrë marramendëse.
Ndërsa shqiptarët ndeshen përditë me vrasjet, dhunën, grabitjen, varfërinë, sëmundjet, prapambetjen të cilat Kryeministrit të luksit, kryeministrit të pasanikëve i duken interesante. Këtë politikanë duhet ti flakim pas. Këtë lloj politikani hajdut, gënjeshtar, arrogant duhet të dënojmë dhe ta çojmë para drejtësisë”, deklaroi Basha.

Basha u shpreh se është PD ajo që ofron integritet dhe kurajë për të kapërcyer krizën e besimit.
“Sikurse e thashë sfida krysore është sfida e besimit. Ne ndeshemi sot me nivelin më të ulët të besimit tek politika që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ne ndeshemi sot me një politikë shtetërore që e ka për qëllim nxitjen e mosbesimit. Sikurse ndeshemi me mosbesimin që ka ardhur si rezultat edhe i gabimeve tona.
Ka vetëm një mënyrë për ta kapërcyer këtë krizë besimi. Ne duhet të tregojmë integritet dhe kurajë. Integritet dhe kurajë për të ofruar jo premtime dhe shpresa boshe, por një realitet thellësisht demokratik dhe të lirë duke filluar nga partia jonë”, tha Basha.
Kreu i PD duke shpalosur më tej platformën e tij tha se është konkurrenca që çon në meritokraci, demokracia që çon në kufizimin e pushtetit dhe liria që çon në mundësi. “Këto janë qëllimet tona kryesore në përpjekjen tonë për modernizimin e Partisë Demokratike. Vetëm një Parti e hapur dhe demokratike është e besueshme.
Me ndryshimet që kemi bërë dhe kemi besuar gjithmonë e më shumë vendimmarrjen anëtarëve të Partisë Demokratike ne po hapim jo vetëm një rrugë të re për Partinë tonë por edhe një shembull për gjithë politikën në Shqipëri”, tha kreu i PD.
Në këtë mënyrë, theksoi Basha, ne do jemi në gjendje të bashkojmë njerëzit rreth Partisë sonë. “Në radhë të parë ne jemi partia ku njerëzit çmojnë lirinë: lirinë individuale nga dhuna e shtetit, lirinë e tregut nga ndërhyrja e qeverisë. Partia Demokratike duhet të ketë një vëmendje më të madhe ndaj ish-të përndjekurve dhe pronarëve të grabitur dhe familjeve të tyre që ende vuajnë pasojat e regjimit çnjerëzor komunist”, u shpreh ai.

Një nga objektivat e PD e prezantuar nga Basha është dhe tërheqja e rinisë dhe grave.
“Ne kemi objektiv të rëndësishëm tërheqjen e rinisë dhe grave. Rinia çmon më shumë se çdo gjë lirinë, lirinë për mundësi, lirinë për të provuar, lirinë për të rrezikuar, lirinë për të guxuar, lirinë për të ndryshuar, lirinë për të bërë histori, siç e kemi parë në 1990 siç po e shohim në 2019.
Ne duhet të mbështetemi tek forca e grave: liria dhe konkurrenca janë aleatët më të mëdhenj për të përmbushur të drejtat dhe aspiratat e grave. Gratë janë ato që vuajnë të parat nga dhuna, nga dhuna e shtetit, nga dhuna e shoqërisë”, u shpreh ai.
Basha tha se Partia Demokratike është një parti e hapur dhe i mirëpret të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e saj. “Të gjithë ata që duan ndryshimin, të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë ketë lloj politikbërje në Shqipëri”, tha ai.

Sipas Bashës, kurrë Partia Demokratike nuk do të jetë strehë për kriminelë e trafikantë. “Një pushtet i ardhur me mbështetjen e krimit është kriminal dhe gjithmonë në dëm të interesave të qytetarëve. Situata që po kalojmë sot është pikërisht pasojë e një pushteti të siguruar nga krimi”, theksoi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb