Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me anëtarë të shoqërisë civile, deklaroi se kur PD të vijë në qeveri, do të hartojë një Kushtetutë të re.

Kryedemokrati tha se Kushtetuta e re do të synojë pavarësinë e institucioneve si dhe fuqizimin e tyre, si dhe dobësimin e kontrollit që vjen nga politika.

“Shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re. Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për trias politica, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve, dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës, politike mbi institucionet.

Padyshim që do të jetë një ushtrim kombëtar që duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin tonë politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe ekspertizën ndërkombëtarëve për ti dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku të mos ketë më xhepa për autoritarizëm, abuzivizëm, apo për ti dhënë goditje vdekjeprurëse kolonave të kontrollit të pushtetit”, tha Basha.

Fjala e mbajtur nga lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Nuk kam çfarë t’i shtoj diagnozës që ju bëtë sepse jam 100% dakord me ju dhe e bëtë në mënyrë edhe më koncize sesa ç’mund të kisha qenë unë. Tani hapat do të jenë në 2 nivele një nivel i menjëhershëm dhe një nivel afatmesëm me shpresoj rezultat afatgjatë. Niveli i menjëhershëm është rivendosja e njëfarë kontrolli e balance në institucionet ekzistuese brenda kornizës ekzistuese kushtetuese. Kjo do të thotë pikë së pari kufizimi i pushtetit ekzekutivë që është çështje tërësisht e vullnetit politikë.

Kufizimi vjen në mënyra dhe forma të ndryshme, unë jam zotuar dhe dua të përsëris para jush zotimin tim që të bëj realitet kushtetues kufizimin në 2 mandate të krye ekzekutivit, pra të kryeministrit të vendit deri në një fazë që vendi të jetë gati dhe të ketë përqafuar kulturën demokratike, standardin demokratike dhe institucionet të kenë fuqinë reale për t’iu kundërvënë vullnetit të njëshit, gjë që nuk është shumë e thjeshtë siç e kemi parë edhe nga demokracitë të konsoliduar në  muajt dhe vitet e fundit, pra kufizimi në 2 mandate i kryeministrit të vendit, asnjë kryeministër nuk mund të marrëmë shumë se 2 mandate. Ky është zotimi im, ky do të jetë një nga masat e para që do të shtymë në parlamentin e ardhshëm, si një ndryshim kushtetues, shpresoj me konsensusin e opozitës së ardhshme socialiste, në çdo rast do i drejtohem shqiptarëve për ta bërë realitet  dhe shpresoj që do ta bëjë realitet këtë synim dhe këtë objektiv që do të ndihmojë kufizimin kohorë të pushtetit, por nuk mjafton vetëm kjo, po ju jap një shembull, a nuk ishte ky kryeministri që u zotua, përkufizime ligjore madje edhe kushtetuese  të  borxhit publik dhe shikoni ku e çoj borxhin.

Ky është vendi që i ndrysho ligjet e taksave më shpesh, dy herë më shpesh se çdo vend tjetër në Ballkan, po marr një fushë, semund të flasim me orë të tëra dhe pikërisht në këtë fushë ne do të zbatojmë një mekanizëm. Një bord të transparencës fiskale të përbërë nga ekspertë më të mirë të vendit të zgjedhur nga parlamenti me shumicë të kualifikuar, të cilët do të kenë autoritetin për të mos lejuar ndryshime të shpeshta fiskale që godasin drejtpërdrejtë qytetarin shqiptarë, individin shqiptarë, xhepat e tyre në veçanti sipërmarrjen shqiptare dhe sigurinë ligjore, pastaj godasin dhe investimet e huaja dhe pastaj çuditemi ne pse ka 3 miliardë euro investime në Maqedoninë e veriut dhe 300 milionë këtu, po këtu çdo javë ndryshon ligji, nuk mjafton dhoma për a mbushur me letrat e ligjeve që kanë ndryshuar në 8 vite dhe do të përmblidhen të gjitha me një kod. Përmenda 2 angazhime ekonomike, mund të rrimë të flasim për çdo fushë, kufizimi i pushtetit të ekzekutivit do të jetë angazhimi i parë, natyrisht kjo nuk mjafton, parlamenti duhet të luajë rolin e vetë edhe në situatën aktuale kushtetuese, parlamenti ka mjaftueshëm mekanizma kontrolli, por mazhoranca ja ka bërë të pamundur, e mbani mend se ç’na bënin sa herë kërkonim komision hetimor parlamentar?

3-4 prej tyre i mohuan deri sa tha gjykata kushtetuese kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Po kishte nevojë? Kur Kushtetuta e thotë fare qartë, kur ligji e thotë fare qartë që, kur e kërkojnë kaq deputetë, nuk e ndal dot. Pra ishte thjeshtë vjedhje kohe për t’i hequr opozitës një nga instrumentet e vetme që ka. Faktikisht për t’ja hequr parlamentit, për ta konsideruar parlamentin si noter të ekzekutivit. Parlamenti duhet të jetë parlament, s’mund të jetë noter i ekzekutivit. Natyrisht kjo ka lidhje me mënyrën sesi vjen parlamenti. Sallata e 5 Tetorit ka për synim që Parlamentin të vazhdojë ta mbajë si një manar të Kryeministrit. Hapi i tretë , është ajo që ju thash më parë, shtylla e tretë e pushtetit, drejtësia. Pse e bëmë në 22 Korrikun 2016 ? Që të kishim gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk mbrojnë por ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin. Të pastër, të pa kërcënuar dhe të mirëpaguar dhe të respektuar. Ku jemi sot ? Mezi e bëmë gjykatën kushtetuese. Dhe atë se kemi të plotë. Kemi më shumë çështje në gjykatën supreme sesa ç’kanë meksikanët, nga një popullsi dhjetëra herë më të madhe se Shqipëria.

Kemi gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë që se kalojnë Veting-un dhe janë turrur të marrin ca të marrin. Kemi dy standarde në Veting. Hiqet njëri se është në listën e zezë për një shkelje për 100 apo 1000 Euro dhe mbahet tjetri për 100 mijë Euro se është i partisë apo është i klaneve të partisë apo sepse ka lyer rrotën e partisë në pushtet. Reforma në drejtësi duhet të zbatohet ashtu siç u kalua, me konsensus dhe ky është angazhimi që pata në krye të fjalës time dhe në fakt, një nga garancitë që reforma në drejtësi të zbatohet është ndërrimi i pushtetit. Edi Rama dhe pushteti aktual janë në konflikt interesi me drejtësinë e pavarur. Shumëkush më thotë çfarë do bëni ju se shumë prej këtyre gjyqtarëve kanë kaluar falë ndereve, favoreve që u ka bërë kjo qeveri. Ok. Po e marr të mirëqenë këtë dhe në fakt ka shumë arsye për ta marrë të mirëqenë por ama ka edhe diçka. Kjo është një garanci më shumë për një drejtësi të pavarur, se të paktën kryeministri i ardhshëm nuk do t’i kontrollojë, qeveria e ardhshme nuk do t’i kontrollojë. Përkundrazi, do të angazhohet që kjo drejtësi ti ketë duart e zgjidhura për të vënë të parët para drejtësisë zyrtarët e qeverisë së ardhshme. Kjo është fillimi i kulturës së pandëshkueshmërinë. Jo ortakllëku në kurriz të drejtësisë dhe në kurriz të qytetarëve midis ekzekutivit dhe drejtësisë por një drejtësi e pavarur që nuk ka frikë të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. E katërta, shtylla e katërt e pushtetit që është media, se edhe goditjet që janë bërë këtu janë bërë më plan z.Vurmo.

Edhe goditja e medias është goditja ndaj shtyllës së 4. Shtylla e pestë, është shtylla e opinionit publik. Ligji për mediat që mbahet, e mbahet, e mbahet është një provë e qartë e mungesës totalë të vullnetit për të pasur standardet minimale, por nuk na duhej kjo fare, se e kemi parë ku është katandisur media, se si i bëhet presion ditë për ditë për tu kapur, për tu joshur, për tu shantazhuar në qoftë se nuk ndjek linjë e propagandës qeveritare. Dhe këtu absolutisht do të zbatohet standardi Europian dhe për këtë kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë fuqimisht me partnerët tanë, Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Secili prej tyre me programe të veçanta do të mbështesë në një reformë e cila do të sigurojë pavarësinë në të gjitha senset, edhe ekonomike, edhe financiare, edhe parashikueshmëri ligjore të gazetarit shqiptar dhe të medias shqiptare.

Dhe e 5-ta është opinioni publik. I kthehem asaj që tha zoti Dervishi, që secilin e godet me idenë kështu është Shqipëria s’ke çfarë ti bësh, këta, nuk ke, s’mund të jemi më mirë se kaq. Ne jemi më të mirët. Këto janë 5 shtyllat e demokracisë. Një parlament i cili përfaqëson interesin e qytetarëve, i pastër nga krimi, i shkëputur nga lidhjet kriminale, që e mban qeverinë përgjegjëse dhe nuk është manar i qeverisë, një drejtësi e pavarur e cila garanton zbatimin e ligjit, media e pavarur që bën transparencën, një opinion publik i shëndoshë aktiv. Hapat e menjëhershëm besoj jua shpjegova.

Megjithatë nuk është momenti tani por shumë shpejt, shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re. Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për trios politika, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës politike mbi institucionin. Pa diskutim që do të jetë një ushtrim kombëtar i cili duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe gjithë ekspertizën e domosdoshme kombëtare dhe ndërkombëtare për ti dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku mos ketë më xhepa për autoritarizëm, për abuzivizëm apo për t’i dhënë goditje pothuajse vdekjeprurëse kolonave kryesore të kontrollit dhe të balancës së pushteteve.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: