Kryetari i PD Lulzim Basha në fjalën e tij nga selia blu deklaroi ndër të tjera se Partia Demokratike do të nisë një operacion të gjerë kundër koncesioneve të dhëna nga qeveria “Rama”.

Basha theksoi se me këtë operacion do të bëhet e mundshme që të kthehen paratë e shqiptarëve, të grabitura sipas tij nga qeverisja aktuale.

“Ne do të marrim një aksion të paparë kundër krimit në vend, nga veriu në jug. Hetimi në fushën e prokurimeve publike do të jetë në fokusin tonë. Cdo koncesion do të cilësohet si vepër e mundshme kriminale. Do të hetohet pa asnjë përjashtim. Cdo ent apo kompani private apo publike, ose emër që është përfshirë në emërimin e këtyre kontratave, nga juristë deri te kryeministri, do të hetohet.

Hetimi ynë do të zbulojë se ku janë marrë paratë, ku është burimi i parave. Hetimi do të përfshijë ish-drejtorë, ish-ministra dhe të tjerë, që janë larguar pasi mbushën xhepat. Ata që sot harxhojnë para të vjedhura do të hetohen. Paratë që iu janë vjedhur shqiptarëve që kanë përfunduar në Qipro etj do iu kthehen shqiptarëve. Paratë që iu janë vjedhur shqiptarëve për investime në vila në Romë do iu kthehet. PD ka marrë ekspertizë të huaj për hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të vjedhura të shqiptarëve. Ne jemi në kontakt me Europol, me agjenci britanike, italiane, gjermane etj. të gjithë të gatshëm, po hartojmë ligje që tani për luftën ndaj krimit dhe parave të pista.

Do të bëjmë ligj për mospastrim parash në ndërtime. Do bëjmë ligj të atillë që shqiptarët të mund të hedhin në gjyq të gjithë ata që kanë vjedhur. Paratë e Bechetit nuk do paguhen nga shqiptarët. Politikanët me pranga në duar janë kontributi më i rëndësishëm për një qeveri. Lufta ndaj krimit në politikë është e rëndësishme për ne dhe do të hetohen një më një. Asgjë nuk ndal hetimet tona”, tha Basha.

Lulzim Basha kishte një mesazh edhe për bashkëpunëtorët e Edi Ramës, duke thënë se ata do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha kontratat që kanë nënshkruar.

“Kam një mesazh për bashkëpunëtorët e kryeministrit Rama. Hiqni dorë sa nuk jeni vonë. Ose do të shpëtojë Shqipëria ose ju. Ju do të trishtoheni shumë shpejt, Shqipëria do të gëzohet shumë shpejt”, tha ai.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb