TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për mediat pas takimit me shefin e zgjerimit të Bashkimit Europian, Christian Danielsson.

Lideri i selisë blu tha se në takim ka biseduar për të vërtetat e hidhura ku jetojnë shqiptarët, ndërsa shtoi se qëllimi i opozitës është që të shembë këtë sistem të ndërtuar nga kryeministri Rama, i cili siç shprehet Basha, ka kapur drejtësinë  dhe gjithçka tjetër në vend.

“Takimi me Danielsson, është praktikë që kryhet në mënyrë periodike nga opozita. Është një takim i pritur për të folur për realitetin e Shqipërisë, i cili nuk fshihet më. Rama po shkatërron drejtësinë, po mbron ministrat. Kjo është thelbi i gjithçkaje, kapja e drejtësisë, kapje e mediave. Pasojat janë largimi masiv. Këto  janë të vërtetat që nuk mund të fshihen.

Kemi shprehur vendosmërinë, që të largohet Rama dhe të shembet ky sistem dhe kjo kërkon si angazhim të gjithë politikës shqiptare dhe të gjithë atyre  që iu dhimbset ky vend. Të ndërtojnë vlerat evropiane ketu, që të kemi institucionet kushtetuese që përgjigjen para qytetarëve. Kemi patur mundësi të flasin për vizionin tonë për të ardhmen. Ne do të dialogojmë brenda opozitës. Do dialogojmë brenda opozitës, hapat e mëtejshëm. Ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë që pret të kallet”, tha Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: