Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar takimin me mjekët sot ku dëgjoi problemet dhe shqetësimet që ata hasin në luftën ndaj COVID-19.

Basha ndër të tjera thekson se ai u informua mbi skemën e manipulimit të të vërtetës me njerëzit që humbin jetën nga COVID-19.

Ai shton se ekspertët e shëndetësisë me të cilët u takua kërkuan testim masiv, rimbursim të ilaçeve, hapjen e spitaleve rajonale dhe mbështetje financiare.

Në fund ai garanton se PD në qeveri mund të mposhtë pandeminë dhe ringjallë ekonominë, si dhe të shërojë Shqipërinë.

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Konsultimi me mjekët ka qenë dhe mbetet një konstante e përpjekjeve që po bëjmë për të gjetur rrugët për tejkalimin e situatës kritike të krijuar nga pandemia dhe keqmenaxhimi i saj. Zëri dhe qëndrimi i mjekëve duhet të jetë i pari që duhet dëgjuar siç është e para dhe e vetmja përpjekja dhe ndihma që mjekët po u japin qytetarëve sot.

Ekspertët e shëndetësisë, me të cilët zhvillova një takim të frytshëm, kërkojnë testimin masiv dhe gjurmimin e kontakteve, rimbursimin e ilaçeve, hapjen e spitaleve rajonale, mbrojtjen e mjekëve dhe infermierëve dhe mbështetjen financiare të tyre. Mjekët folën pa doreza edhe për skemën e manipulimit të të vërtetës me njerëzit që humbin jetën nga COVID.

Edhe sa jetë shqiptarësh duhet të humbim që Edi Rama të ndalë fajësimin dhe përbaltjen e mjekëve dhe të marrë përsipër përgjegjësinë që i ngarkon ligji?

Shqipëria kërkon një shpresë të re. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj – që mposht pandeminë dhe ringjall ekonominë.

Ne do ta shërojmë Shqipërinë dhe do ta sjellim këtë shpresë të re për vendin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: