Lulzim Basha nga mbledhja e Këshillit Kombëtar thotë se PD është hapësirë për çdo qytetar që kërkon ndryshim.

Kryedemokrati paralajmëron ndërkohë që do të ketë dhe një angazhim të PD për reformë zgjedhore e territoriale pasi ato janë të domosdoshme për shoqëri demokratike.

Në fjalën e siguruar nga gazetari Osman Stafa për BalkanWeb, Basha siguron se misioni i PD do të jetë për të mbajtur gjallë vlerat që do të jenë në qendër të aksionit opozitar.

 

FJALA E LULZIM BASHËS

Këtë duhet ta bëjmë me dhe për shqiptarët që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike.

E kundërta e asaj që sundimi i këtij regjimi përfaqëson, është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në ADN-në e familjes tonë politike.

Prej ditës tonë të parë kemi luftuar për këto vlera, jemi ne njerëzit që besojnë tek ato, ndaj misioni ynë është të luftojmë me gjithë forcën që na kanë dhënë shqiptarët që t’i jetësojmë ato, duke i mbajtur në qendër të aksionit tonë politik.

Nëpërmjet tyre kemi shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve në të shkuarën, dhe jam i bindur që janë po këto vlera me të cilat ne do të arrijmë ndryshimet më thelbësore për familjet shqiptare në të ardhmen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb