Kryedemokrati Lulzim Basha ka ripërsëritur se ka vetëm një Kuvend të Partisë Demokratike dhe ajo do të zhvillohet më datë 18 dhjetor.

Nga studio e emisionit “Real Story”, ku ishte dhe i ftuar, ai tha se kuvendi i thirrur prej tij është legjitim dhe një mundësi e mirë për të dëgjuar çdo demokrat të pakënaqur.

“Të jeni të sigurt që PD dhe unë jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo situate që sfidon vullnetin e demokratëve. 18 ka ardhur si përgjigje ndaj atyre demokratëve që duan një parti të bashkuar, të bazuar te statuti, që është kultura e dialogut. Nuk kam konflikt me Sali Berishën, ai ka gjetur sebepin për konflikt me mua. Unë s’kam probleme me të. Logjika përjashtuese, linçuese, demagogjia e pa fre, është një moment i artë për t’u ndarë nga kjo mendësi. Jemi ndarë nga komunizmi, por jo nga mendësia komuniste. 18 dhjetori, është i vetmi Kuvend i PD. Është legjitim dhe mundësia e artë për të gjithë, përfshirë edhe ata që kanë mendime ndryshe, për të ardhur e për t’u shprehur për dialog. Përpjekjet për t’iu kundërvënë Kuvendit Kombëtar, këtu qartësisht po investohen tre faktorë, Sali Berisha për betejën personale. Edi Rama, që po ecën me logjikën, armiku i armikut tim është miku im. Më 18 dhjetor kemi Kuvendin e PD. Ka një PD, ka shumë mendime ndryshe, por një Kuvend legjitim ku do të merren vendime për demokratët”, tha Basha.

Ndër të tjera, Basha tha se Berisha ka pasur problemet e tij, si me demokracinë e ligjin, por ata e kanë pranuar ashtu siç është, duke marrë përsipër të gjitha kostot.

“Edhe njëherë po ju përgjigjem. Unë e kam gjetur Sali Berishën në PD me të gjithë historinë e tij. Padiksutim e kemi pranuar siç është. Me të mirat dhe të këqijat që na ka sjellë kjo. Edhe në raport me një pjesë të elektoratit që na ka kthyer kurrizin që në ’92-in. Ka pasur gabimet e tij në raport me demokracinë, padiskutim që po. Koha është ilaçi më i mirë për gabimet”, u shpreh Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb