Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha teksa riprezantoi sërish planin me 5 pika për daljen e vendit nga kriza, deklaroi se këto hapa janë e vetmja zgjidhje për të shpëtuar ekonominë nga kolapsi.

Në një konferencë me gazetarët lideri i PD-së tha se me këtë plan ra dhe alibia e kryeministrit Edi Rama, teksa pretendonte se nuk ishte në dijeni të tij.

“Plani me 5 pika, ofrimi i mbështetjes për të mbrojtur mjekët, trefishimi i numrit të testimeve. Plani ynë me 5 pika, 1000 euro shtesë mujore për çdo mjek, 500 euro për çdo infermier. Plani me 5 pika, pajisja e shkollave me pajisje dhe materiale sanitare, testimi i të gjithë e mësuesve. Fëmijëve të familjeve që kanë humbur vendin e punës nuk mund t’ju thuash që të shkojnë në shkollë me maskë. Testim periodik për mësuesit. I vetmi përgjegjës për këtë situatë, që ka humbur 2 javë në luftën kundër pandemisë, duke mos dëgjuar shqiptarët, duke mos i vënë veshin një plani jo për fushatë por për të ndihmuar njerëzit. Me këtë shpalosje të plot të planit, jam i bindur se shumica dërrmuese e atyre që meritojnë ndihmë nga shteti, nuk kanë ndonjë surprizë. Por sot bie çdo alibi që qeveria dhe i pari i qeverisë se kanë dëgjuar planin e PD. Del zbuluar, ata kanë zgjedhur që paratë e shqiptarëve mos t’i çojnë të ta, por te një grup njerëzisht. Nuk e fshehim dot rënien e ekonomisë në kolaps. Një pjesë e shoqatave të bizneseve dhe urdhri i Farmacistëve, të dhënat e tyre, të cilat përpilohen përmes metodave të sakta të anketimit të anëtarësisë së tyre përputhen me të dhënat e BB-së dhe tregojnë përkeqësim galopant të ekonomisë shqiptare.”, -tha Basha.

Plani i Rimëkëmbjes: 5 hapa kundër krizës

1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor:
Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a) Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.
b) Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.
c) Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.
d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë:
Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:
a) Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b) Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c) Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.

3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b) Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

4. Ndihmë për biznesin e vogël:
Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a) Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb