TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha në një takim me ekspertë të shëndetësisë në Tiranë pohoi se ky sektor ndodhet në kolaps për shkak të keqmenaxhimit.

Teksa renditi dështimet në sektorin në fjalë, Basha shtoi se me ardhjen e PD-së në pushtet paga minimale e doktorëve do të jetë 1200 euro dhe ajo e infermierëve 700 euro.

Kryetari i PD-së tha se sektori i farmaceutikës ka qenë një ndër sektorët me korruptiv në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Pa zgjedhje të lira nuk mund të këtë bashkëjetesë demokratike dhe as Bashkim Europian.  Do të kem mundësinë për një shpalosje të plotë të programit për nxjerrjen e shëndetësisë nga kolapsi ku ndodhet. Keq menaxhimi i çoi shëndetësinë në gjendje kome. Sot shqiptarët paguajnë më shumë për shëndetësinë dhe shëndetësia bën shërbim më të keq.

Shëndetësia në Shqipëri renditet e fundit në Ballkan. Sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv. Në tre vitet e fundit Shqipëria renditet e fundit për cilësinë në shëndetësi. Treguesit kanë ardhur në përkeqësim që në 2013. Financimi është më i ulëti,janë rritur  shpenzimet e PPP-ve. Në radhë të parë këtu vendoset se çfarë do të vidhet sa do vidhet dhe kush e vjedhë në hesap të kujt. Mos të flasim  pastaj për Check-Up, i cili na i nxjerrë burrat me barrë dhe gratë me probleme me prostatën. Sektori i farmaceutikës në Shqipëri dhe Ballkan ka njohur një korrupsion të madh në këto vite. I gjithë sistemi është në kolaps, sepse ka asgjësuar perspektivën e zhvillimit të paktën për momentin. Dua të them se krijimi i monopoleve gjigande private të financuara prej buxhetit ka futur në kolaps institucionet shëndetësore. Gjendja në spitale është katastrofike. Ka mungesa medikamentesh. Mungesat nuk kanë fund, marrin përmasa afrikane të Afrikës qendrore siç është mungesa e paracetamolit në urgjencat”-theksoi Basha.

Basha u ndal edhe tek rastet e dhunës në spitale, ndërsa renditi edhe arsyet që e prodhojnë atë.

“Nuk kalon javë pa pasur goditje, përplasje në spitalet e vendit. Rrogat më të ulëta në rajon.  Rrogat më të larta nuk kapin as gjysmat e rajonit. Rajoni i ka rritur, ndërsa ne nuk kemi indeksuar as për inflacionin. Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet 70. Numri i specialiteteve disa herë më i ulët, pagat katastrofë.  Të gjithë dështimin mundohen t’ia faturojnë bluzave të bardha. Mjekët dhe infermierët përpiqen t’u shërbejnë  qytetarëve, por po e bëjnë shërbimin  si në spitale lufte. Spitalet e rretheve kanë mbetur vetëm në godina. Shërbim shëndetësor  është i varfër, pak mjekë dhe pak ilaçe.  Këto probleme nuk zgjidhen sa hap dhe mbyll sytë, por kemi nisur  një diskutim me të gjitha grupet për të hartuar politikat e duhura dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.  Me ardhjen e PD në pushtet paga minimale e doktorëve do të arrijë 1200 euro në muaj dhe për infermierët në 700 euro në muaj. Ky është realiteti në Kosovë. Ky është synimi  dhe objektivi. Këto do të jenë pagat minimale në sektorin shëndetësor.  Unë zotohem sot këtu para jush se këtë objektiv do ta bëjmë realitet”-shtoi Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb