Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se Kuvendi i PD i 18 dhjetorit do të mishërojë shpresat më të mira të njerëzve për ndryshimin e Shqipërisë. Në një postim në “Twitter” Basha publikon deklaratën e tij të bërë në emisionin “Real Story” në News24, teksa thekson se më 18 dhjetor do të zgjedhim të ardhmen.

“Kuvendi i Partisë Demokratike do të shënojë një pikë kthese pas 31 vitesh tranzicion. Më 18 Dhjetor, ne do të zgjedhim të ardhmen, duke mishëruar shpresat më të mira të njerëzve, për të ripërtërirë besimin te politika, si mjet për ndryshimin e Shqipërisë??”, shkruan Basha.

Ndërkohë në “Real Story”, kreu i PD-së deklaroi se kushdo nga ata firmëtarë më 18 dhjetor kanë mundësinë të jenë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ta shprehin lirisht mendimet dhe qëndrimet e tyre.

“Partia Demokratike nuk është e përçarë në qëllimin që ka. Partia Demokratike ka një kundërshtar, që është kundërshtar i shumicës të shqiptarëve. Retorika përçarëse, gjuha linçuese, është ajo që është problem për Partinë Demokratike. Unë jam për një kuvend të bashkimit, jo të përçarjes, të dialogut, jo të linçimit, të pozitivitetit dhe jo të negativitetit, i cili duhet të shënojë edhe një pikë kthese pas 31 vitesh tranzicion që nuk merr fund. Një kthesë që do të thotë që Partia Demokratike të mishërojë shpresat më të mira të njerëzve. Në këtë kuptim, po ju them dhe një herë, që me 18 Dhjetor, kushdo nga ata firmëtarë, që nuk e dimë se sa prej tyre janë delegatë apo jo, se nuk na lejuan që ta mësonim, sepse nuk ishte i interesuar të bënte një proces të rregullt, kanë mundësinë që me 18 Dhjetor të jenë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ta shprehin lirisht mendimet dhe qëndrimet e tyre”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb