Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për mbylljen e një të tretës së bizneseve të vogla në Korçë. Ai tha se për shkak të taksave të larta bizneset kanë ulur qepenat.

Sipas Bashës, të vetmit që bëjnë hajër janë oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë dhe rrinë me Ramën duke bërë plane si të grabisin buxhetin dhe pasuritë e shqiptarëve.

“Vetë kam qenë bashkë me ju në rrugët e qytetit të Korçës, në lagjet e ndryshme dhe në të gjitha zonat e qarkut, dhe kam parë mjerimin e thellë në të cilin është zhytur Korça e punës. Jo për fajin tuaj, as për faj të natyrës, por për shkak të mallkimit që quhet qeveria e Ramës, që me taksat e larta ka mbyllur në Korçë një të tretën e bizneseve të vogla. Kanë ulur qepenat edhe nga sjelljet terroriste të taksidarëve të qeverisë ua bënte të pamundur vazhdimin.
Një urrejtje e shfrenuar kundër sipërmarrjes, që në fakt është palca e ekonomisë, është sjellësja më e sigurt e mirëqenies, por është po kështu një rrezik për tiranët dhe despotët, sepse sipërmarrja është e pavarur, s’ka nevojë për ymrin e Padishahut, dhe Edi Rama këtë s’e duron dot, i del jashtë planit të tij.
Ndaj i është vërsulur sipërmarrjes dhe sipërmarrjes së vogël në veçanti. Të vetmit që bëjnë hajër janë oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë dhe rrinë me Ramën duke bërë plane si të grabisin buxhetin dhe pasuritë e shqiptarëve. 10 njerëz, 10 hiena grabitqare, 10 të ashtuquajtur biznesmenë, prandaj i ka shkatërruar gjithë të tjerët. Gjithçka vetëm për këta të 10 që i puthin dorën e gjithçka edhe atë që s’thuhet, se bashkë ndajnë lekët e shtetit”, deklaroi kreu i PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb