TIRANË- “Shqipëria është kthyer në Republikë të dramave dhe tragjedive”. Kështu ka deklaruar Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, duke përmendur si shembujt më të trishtë të arrogancës shtetërore me debitorët e energjisë, rastin e vetëvrasjes së Llazi Nases në Vlorë apo të arrestimit të Naim Dylit në Gurin e Zi të Shkodrës.

Basha theksoi se kjo qeveri nuk është ajo për të cilën u votua dhe se i ka mbaruar koha. Ai tha se janë qytetarët ata që kanë tagrin për ta çuar në shtëpi.

Më tej, kryedemokrati e vuri theksin tek dhuna e rëndë policore dhe sidomos, tek rrahja që i ndodhi Enver Bashës, personit të ndaloi Kostandin Xhuvanin pas vrasjes dhe që nuk u mor në mbrojtje nga shtetit. “Goditja ndaj Enver Bashës është një medalje turpi për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm,”- tha Basha.

ENERGJIA ELEKTRIKE, ANTILIGJI PO KRIJON VIKTIMA

“Tani në përfundim të vitit të tyre të dytë, e ashtuquajtura qeveri e Rilindjes ka me shumicë tragjedi e skandale,” – tha Basha në fjalën e tij. – “Pardje, një tjetër qytetar, Llazi Nase nga Vlora, i dha fund jetës në pamundësinë për të paguar faturën e kripur të energjisë elektrike. I shprehim ngushëllimet dhe jemi shumë të hidhëruar nga këto situata.

I bëjmë thirrje qytetarëve të kërkojnë asistencë nga shoqëria në tërësi, nga shoqëria civile, nga pD-ja të kërkojnë asistencë, qytetarëve të cenuar në nderin dhe dinjitetin e tyre, i ftoj të bashkohemi si jë trup i vetëm në protesta sepse e keqja s’mund të jetë kurrë më e fortë se e vërteta, sepse ka zgjidhje, ka perspektivë.

Kemi kërkuar përgjigje për gjithë këtë tragjedi që i ndodhi të ndjerit, që ka ndikuar në vetëvrasjen e qytetarit. Për të gjithë ata që kanë ndjeshmëri, i ndjeri Llazi Nase meriton vëmendje se ai nuk është një individ, por një kategori, një komunitet i madh i shoqërisë që është vënë në shenjëstër të shtetit, me diskriminim, me pashpirtësi, me arrogancë; është antiligji, shkaku i dëshpërimit që i ka kapluar njerëzit lidhur me energjinë.

Në vazhdim, Basha tha se kërkesat e opozitës për uljen e çmimit të karburanteve dhe taksave nuk janë marrë parasysh, por ato do të vihen në jetë kur të marrë qeverisjen.

DHUNA POLICORE NUK ESHTE “LAJTHITJE” E 3 VETEVE, POR FRYME

Më pas, ai foli për çështjen e rendit. “A ka lidhje Rama dhe Qeveria me rrahjen e qytetarit korçar? Kjo qeveri ka zhbërë procesin demokratik të policisë në komunitet duke krijuar një polici në distancë, të largët me qytetarë. Në pak ditë kemi pasur tre raste të rrahjes nga skuadronet e Ramës dhe Tahirit. Po sa janë rastet që nuk filmohen? Këto nuk janë më lajthitjet e tre shefave këtu dhe 2 policëve atë por është fryma për të vendosur këtë shtet policor, që nuk i prek qimen e flokut bandave, madje është në simbiozë me ta.

Dhuna ndaj Tomi Mishës është një goditje e rëndë për qytetarët shqiptarë, është një apel për të hapur sytë dhe për t’iu kundërvënë me protesta dhe me votë, regjimit të dhunës. Kërkojmë marrjen e masave të rrepta ndaj personave që kanë ndikuar në dhunimin e qytetarëve.

Dhunimi çnjerëzor i Enver Bashës është një tjetër dëshmi e dështimit. Ky djalë u gjend në krah të Policisë, kur djali i mikut të Ramës vrau katër vetë në mes të Tiranës. Enver Basha ka guxuar shumë. Dua t’i uroj shërim të shpejtë dhe të them se xhesti i tij është frymëzim dhe një qytetar model. por rrahja e ti brutale është një turp për këtë pushtet. Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm do ta kenë këtë si nj medalje turpi.”

Kryedemokrati Basha ka dalë në mbrojtje të 7 efektivëve të pezulluar, duke i marrë si shembull të luftës ndaj krimit dhe asaj se çfarë po ndodh me policinë sot.

“7 anëtarë të ekipit elitë të pezulluar. Këta 7 anëtarë kanë marrë pjesë në aksionet më të rrezikshme në vend. Çfarë mesazhi u jep kryeministri? Ky është një nga dëmet më të mëdha që i bëhet policisë. Mendoni në çfarë gjendje ndodhet Policia? Jemi nën sundimin e tritolit dhe grabitjeve me maska”, tha Basha.

Ai theksoi se “kjo qeveri nuk e rregullon dot rendin”. “Nuk e përmirëson dot gjendjen ekonomike dhe shoqërore në vend. Qeveria në rrugë pa krye, nuk dëgjon dhe nuk shikon përtej hundës së vet”, tha kreu i PD-së.

Basha tha se kryeministri i ka vënë kyçin transparencës dhe llogaridhënies dhe se partnerët ndërkombëtare nuk ngopen me lugë bosh.

“Nuk është rastësi që kryeministri fyeu gazetaren Erisa Zykaj në Bruksel. Shprehja e tij është refuzimit për tu pyetur. Kryeministri i ka vënë kyçin transparencës dhe llogaridhënies. Demagogjia e tij është dalëbojësh në Bruksel. Partnerët kërkojnë rezultate nuk ngopen me lugë bosh siç e ka zakon në Tiranë. Besojmë në bindjen se kjo qeveri nuk është qeveria për të cilën u votua. Kjo qeveri e mbaroi para kohe kohën për të qeverisur. Qytetarët kanë tagrin ta çojnë në shtëpi qeverinë e gabuar. Duhet të dëshmojmë se dhembshuria jonë për qytetarët nuk është vetëm fjalë, por edhe aksion”, përfundoi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb