SHKODER– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me departamentin e Emigracionit dhe me kandidaten për kryetare të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, si dhe të rinjtë e Forumit Rinor, organizuan në pikën kufitare të Murriqanit një aktivitet me rastin e ditës së Europës të tilluar “Drejt Europës pa azil”. Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se pengon integrimin europian të vendit,duke ngritur barriera.

“Ne ia dolëm të hedhim hapa gjigandë, që kulmuan me heqjen e vizave, lëvizjen e lirë të shqiptarëve, vazhduan me përpjekjen tonë për të hapur dyert e Europës për anëtarësimin e plotë në të. Për fat të keq, vëllezër e motra, ndonëse flasim e bëjmë sikur jemi të bashkuar, veprimet tregojnë krejt të kundërtën. Nuk janë fjalët por veprat ato që tregojnë se ku qendron çdo palë. Kur ne përpiqeshim dhe hiqnim vizat për shqiptarët, i liberalizonim ato, të krijonim mundësinë për lëvizje të lirë dhe dinjitoze të qytetarëve, qeveria e sotme, atëherë në opozitë, bëri gjithçka për të penguar këtë proces jetik për shqiptarët; kur ne përpiqeshim me çdo kusht të hapnim rrugën për marrjen e statusit kandidat, qeveria e sotme, opozita e djeshme bëri gjithçka për ta penguar e vonuar këtë proces.

Dje si opozitë, dhe sot si qeveri, Edi Rama është provuar si pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë. Sot, ai ka ngritur barriera të tjera të pakapërcyeshme për udhëtimin tonë europian. Ndonëse statusi kandidat u dha pas përpjekjeve të shumta dhe mbështetjes totale që PD dhe unë personalisht i dhamë këtij procesi, Shqipëria nuk ka një datë për hapjen e negociatave. E si mund të ketë një datë për hapjen e negociatave, një vend qeveria e së cilit ka ngritur krimin dhe korrupsionin në foltoren e pushtetit.

Kjo është qeveria e vetme e çdo vendi me statusin kandidat që aspiron të hyjë në BE, e cila i njeh vetes për meritë inkriminimin e politikës, të administratës, ngritjen në pushtet dhe veshjen me pushtet të personave të inkriminuar, të trafikantëve të drogës, prostitucionit, njerëzve që kanë shitur dinjitetin e motrave tona në rrugët e Europës, njerëzve të krimit të organizuar të cilët i ka bërë drejtorë, i ka futur në Parlament dhe i ka promovuar në çdo post kyç të qeverisjes”,- theksoi zoti Basha.

Kreu i opozitës u ndal më tej edhe tek çështja e dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës, ndërsa shtoi se korrupsioni në vend është në nivel rekord.

“Nuk ka si të çajë përpara një vend i cili është kthyer në rekordet më të zeza të korrupsionit, një vend qeveria e së cilit prokuron gjysmën e fondeve publike me prokurim të drejtpërdrejtë në nivelin limit të preventivit, që do të thotë vjedhje e hapur e fondeve të shqiptarëve. Një qeveri e cila në kushtet e një krize ekonomike po largon mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe po përsërit eksodin me përmasat më masive që nga 1991-1992, shpenzon milionat e taksave të rritura të shqiptarëve për projekte korrupsioni, palma korrupsioni, fasada korrupsioni, palma që blihen me 15-fish çmim, ndërkohë që shqiptarët vuajnë për bukën e gojës.

Regji qendrore që kushton 1500 euro transmetimi dhe katër të tilla në ditë, 6000 euro në ditë, 8 milionë e 400 mijë lekë në ditë, baraz me asistencën sociale për 420 familje në muaj apo 35 familje në vit. Në vend që këto familje të marrin asistencën, këto largohen, zhduken nga lista, hidhen në mes të mjerimit, pasiguri as për koren e bukës. Pse? Që surretërit e pushtetarëve të dalin 4 herë në ditë në televizor.

Kjo është një këmbanë alarmi për të gjithë, për të gjithë shqiptarët, që të bashkohemi për të gjetur rrugëzgjidhjen e duhur siç e thoni ju, siç e keni shkruajtur këtu: Rruga e zgjidhjes nuk është largimi i qytetarëve por është largimi i qeverisë së papërgjegjshme që e ka kredhur Shqipërinë në mjerim, i ka asgjësuar shpresën dhe po u vret dinjitetin ditë për ditë shqiptarëve,”- theksoi Basha.

Kryetari i Partisë së Demokratike ka theksuar se “21 qershori është dita e duhur për t’i thënë Po Europës, për të larguar të keqen e për t’i hapur rrugë shpresës”. Basha tha se “nuk duhet të ikin shqiptarët nga e keqja, por të ndalim të keqen”.

“Unë jam i bindur se 21 qershori që po afron do të jetë një përgjigje plebishitare, europiane e shqiptarëve. Me votën tonë, në 21 qershor, ne të gjithë bashkë do t’i themi po Europës, Europës jo si një koncept abstrakt por Europës dhe Shqipërisë europiane, si vendi ku qeveria nuk kërcënon, nuk kërcet dhëmbët para qytetarëve, nuk agreson qytetarët por është në krah të qytetarëve, me ta, për ta, për të zgjidhur hallet e problemet e tyre e jo për t’i shtuar ato; me Shqipërinë europiane ku qeveria nuk është përgjegjësja kryesore që njerëzit të fitojnë më pak, shpenzojnë më shumë dhe jetojnë më keq por një qeveri europiane që hap vizione, horizonte të reja pune përmes investimeve, taksave të ulëta, nxitjes së sipërmarrjes, nxitjes së biznesit të vogël, punësimit të rinisë, transparencës dhe dedikimit të çdo qindarke të shqiptarëve vetëm për prioritetet e shqiptarëve e jo duke i bërë ato rrush e kumbulla për qejfe sheikësh siç bëjnë pushtetarët e sotëm”, tha në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb