TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha e ka vënë në shënjestër të akuzave sërish kryeministrin Edi Rama. Duke u kapur pas deklaratave të kreut të qeverisë se PD kishte plan për destabilizimin e vendit, Basha tha se ka qenë Rama ai që e ka destabilizuar Shqipërinë në këto 4 vite, duke numëruar disa prej fakteve, sipas tij që nga mbushja e Shqipërisë me drogë deri tek kriminalizimi i pushtetit.

Kreu i PD-së tha se Rama krenohet kur pi kafe me Tërmet Peçin e Vangjush Dakon, ndërsa ai vetë ka krenari kur pi kafe me Artan Fugën dhe shokët e tij. Basha denoncoi të ashtuquajturin plan kriminal të Edi Ramës, që sipas tij ishte t’iu mohojë shqiptarëve të zgjedhin.

“Votim monist do të thotë të mos zgjedhësh dot, të mos kesh mundësi të zgjedhësh. Ky është plani kriminal i Edi Ramës, t’iu mohojë shqiptarëve të zgjedhin. Fillimisht këtë e kishte ndërmend me opozitën në letër por me krimin dhe drogën në qafën e qytetarëve. Ju ja dogjët këtë plan më 18 shkurt. Tani do të shkojë në zgjedhje me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve që qeverisin Shqipërinë në këto 4 vite. Edi Rama ka disa ditë që flet për destabilizimin e Shqipërisë. Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë në themele në këto 4 vite”, tha Basha.

Kreu i PD-së pyeti më tej mbështetësit në çadër.

“Kush i solli kriminelët në Kuvendin e Shqipërisë, në krye të bashkisë, në Policinë e Shtetit, në krye të institucioneve, kush i solli Eskobarët, kush e mbolli Shqipërinë me drogë nga jugu në veri. Edi Rama me ushtrinë e tij të krimit, me batalionin e tij të krimit me të cilin sundoi Shqipërinë. I solli kriminelët, mbushi Shqipërinë me drogë, prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça?”, tha Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Unë kam krenari kur pi një kafe me Artan Fugën dhe shokët e tij. Ky krenohet kur pi kafe me Tërmet Peçin me Klement Ndonin dhe me Gjushin. Kur OSBE-ODIHR që me këto zgjedhje ke shkatërruar besimin e shqiptarëve në procesin elektoral, çfarë bëri, e mbushi Shqipërinë me drogë dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë. Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Projekti i tij politik ishte dhe mbetet shkatërrimi i zgjedhjeve. Ky është projekti, këtë ka bërë 4 vite më parë. Ka destabilizuar Shqipërinë”, theksoi Basha.

Kreu i opozitës gjithashtu tha se Rama ka pasur në plan vetëm të destabilizojë Shqipërinë në këto 4 vite, duke shkatërruar ekonominë, arsimin e të gjitha sektorët e vendit.

“Në 4 vite ka destabilizuar Shqipërinë, ka shkatërruar ekonominë, arsimin, ka varfëruar shqiptarët, nga pensionistët tek biznesi i vogël që është në ditë të hallit e deri tek investitorët më të mëdhenj. Ky vend që ne të djathtë e të majtë, që ne e bëmë anëtare të NATO-s në 2009, nuk kontrollon dot sot as kufijtë as territorin pasi janë nën kontroll të kriminelëve të futur në kupolën e policisë së shtetit. Këta janë faktorë destabilizimi. Nuk ka nevojë asnjë kundërshtar i Shqipërisë të fusë duart e të prishë Shqipërinë, se të gjitha të zezat ja bën Edi Rama. Investimi i kriminelëve është që të mbajnë Ramën në krye të Shqipërisë.

Por s’mund të jetë ky fati i vendit tonë. Policia dhe shteti është në dorë të kriminelëve dhe drogës. Qytetarët janë në pasiguri totale. Droga është sheshit. Ju ofrohet fëmijëve 11 vjeç në shkolla për të krijuar tregun e konsumit të drogës, duke helmuar fëmijët. Ky sheh vetëm opozitën si armik. Projekti i kriminalizimit të Shqipërisë është vetë projekti politik i Edi Ramës që është në gjendje të bëjë gjithçka për pushtetin e tij. Jo vetëm nuk hapi vende pune, por mbylli qindra mijëra, falimentoi me mijëra biznese të vogla, mbylli mundësitë që të mbanin njerëzit në punë, rriti taksat, çmimin e energjisë. 600 mln euro për palma që thahen me erën e parë të dimrit, ndërkohë që shqiptarët gërmojnë xhepat për qindarkën e fundit.

Futen në borxhe për tarifat e përballueshme. Me Edi Ramën gjithçka u bë më e shtrenjtë. Fushatën moniste të 18 qershorit do e bëjë me armikun e shpikur. Qeverisje më katastrofë, 300 mijë shqiptarë të larguar. Kjo është arritja e Edi Ramës. Ai e di se çfarë e gjen atë me votë të lirë e të ndershme, se çfarë e gjen atë, ministrat dhe kriminelët,” tha Basha.

(m.k/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: