LEZHË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, bashkëbisedoi sot me banorë të komunës së Shëngjinit. Qytetarët e njohën Bashën me situatën e rëndë ekonomike, papunësinë, varfërinë që sa vjen dhe shtohet e deri tek pamundësia për të blerë ilaçet në spitale.

Banorët shprehen të zhgënjyer se askush nuk i pret dhe askush nuk i dëgjon për hallet dhe problemet e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ata nuk mund të dalin para shqiptarëve sepse nuk kanë mbajtur asnjë premtim madje e kanë çuar vendin drejt humnerës ekonomike.

“Por s’kanë se si të vijnë para shqiptarëve. Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam 300 mijë vende pune dhe tani që po mbushen 2 vjet jo vetëm s’kemi hapur asnjë vend pune, por kemi shkaktuar papunësinë më të madhe në 20 vite?

Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam se do të ulim çmimin e energjisë elektrike, por jua rritëm atë? Dhe ju kemi vënë fatura afrofe mbi kurriz të shqiptarëve që nuk kanë me çfarë t’i paguajnë? E tani duam t’ju marrim edhe shtëpitë në qoftë se nuk paguajnë faturat. Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam shëndetësi falas dhe sot pensionistët po i marrin dhe ilaçet me listë? Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që ju premtuam se do të ulim taksat, kur faktikisht sot paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq”,
theksoi Basha.

Sa më shumë afrohet 21 qershori, tha Basha aq më shumë dyshja e së keqes që pllakos vendin, Edi Rama dhe Ilir Meta shprehin panikun për ndëshkimin popullor. “Në mënyrë të paprecedentë, tani që nuk bëjnë dot me premtime sepse premtim-mashtrimeve të tyre u doli boja, kanë nisur të kërcënojnë qytetarët sepse duan t’u marrin edhe pushtetin e fundit që u ka mbetur dhe ta përdorin për interesa të tyre”, theksoi lideri i opozitës.

Sipas Bashës “Paniku për humbjen e zgjedhjeve i ka bërë të thonë marrëzira, çmendurira”. “Po nuk votuat për mua, po nuk votuat për kandidatin tonë, nuk do keni ujë, u thonë shqiptarëve. Shqiptarët po qeshin me këta shakllabanë, siç u thoshte Gjergj Fishta. Prandaj është e rëndësishme që të bashkohemi të gjithë e t’i tregojmë më 21 qershor se kush janë pronarët e vërtetë të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë, apo Edi Rama e Ilir Meta. Jam i bindur se bashkimi ynë do të çojë mesazhin më të fortë këtu nga Shëngjini e nga mbarë Shqipëria”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb