LUSHNJË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë në qytetin e Lushnjës. Basha ka denoncuar rritjen e borxhit publik nga qeveria e cila sot ka hapur një gropë të madhe prej 700 milionë dollarësh të cilat i ka marrë borxh. Sot halleve dhe problemeve të qytetarëve të cilët nuk kanë punë dhe duhet të paguajnë fatura më të larta të energjisë dhe karburantit i shtohen dhe 240 mijë lekë që duhet të paguajnë nga borxhi që ka marrë qeveria.

“I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh qe i bie 240 mije lekë të vjetra për frymë shqiptari nga foshnja tek më plaku”, deklaroi Basha.

Sipas tij nuk mund të ketë prioritet më të madh për një parti politike dhe për liderët e saj  se sa hallet dhe problemet e qytetarëve. Ai deklaroi se prioriteti numër 1, i PD-së është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të lart, për punë dhe dinjitet.

“Çfarë mund të ketë më prioritet se alternativat e zgjidhjes së krizës ekonomike ku e ka zhytur Rama-Meta vendin, ofrimin e shanseve për punësim në mënyrë që qytetarët të sigurojnë bukën e fëmijëve të tyre. Sulmet ndaj opozitës, sulmet ndaj meje çfarë tregojnë? Se nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për ju. Thonë Basha flet për taksën e sheshtë e për rritje të rrogave e të pensioneve e për ulje e çmimit të energjisë por ky nuk është momenti i duhur. Po kur është momenti i duhur, në qoftë se nuk është sot, kur papunësia rinore ka arritur 40%, kur papunësia kombëtare është 20%, kur mjerimi është pesëfishuar, kur çmimet janë rritur, kur nafta është më e shtrenjta në Europë, kur energjia elektrike është kthyer në një makth për çdo familje?! Cilat janë prioritete, nëse jo këto çështje?! E pra, sot ju them se për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të lart, për punë dhe dinjitet, asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto”, theksoi kryetari i PD Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e Lushnjës.

Basha tha se propozimet e PD për uljen e çmimeve të energjisë dhe naftës, për uljen e taksave dhe krijimin e hapësirave për biznesin, për të hapur vende pune u rrëzuan nga mazhoranca përmes arrogancës e kartonëve në Parlament. “Por më 21 qershor- tha Basha- kartonët janë në dorë të qytetarëve të cilët do të zgjedhin mes ofertës për punë dhe dinjitet dhe arrogancës së qeverisë që solli varfëri dhe mjerim”.

“Në 21 qershor, këta nuk i kanë kartonët, kartonët i ka populli dhe me kartonët e popullit ne do ta ulim 25% çmimin e energjisë dhe do falim kamatë-vonesat për të gjithë shqiptarët. Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin me taksën më të ulët në Ballkan. Uljen e tarifave për të gjitha universitetet dhe për të rihapur filialet e universiteteve publike kudo ku ato janë mbyllur. Oligarkia nuk do të na ndalë dot për rritjen e rrogave, për rritjen e pensioneve, për rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë personave të larguar me të padrejtë, për kompensimin me vlerë tregu të gjithë objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme”, tha ai.

Kandidati për kryetar bashkie Darien Xhindoli ka theksuar në programin e tij uljen e taksave për biznesin dhe mbështetjen e të rinjve për të hapur biznese dhe për tu punësuar është prioriteti numër një.

“Do stimulojmë çdo biznes që merr në punë të rinj, do stimulojmë të rinjtë për hapjen e bizneseve të reja me anë të kredive dhe fondeve rezervë të bashkisë”, u shpreh ai.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua dhe me banorë të Çermës në Lushnjë. Mungesa e subvencioneve për bujqësinë dhe rritja e kostos së punimit të tokës përmes rritjes së çmimit të energjisë dhe karburantit kanë qenë shqetësimet e paraqitura nga banorët. Ulje e çmimit të energjisë dhe taksës së qarkullimit, subvencione për fermerët janë prioritete për PD, theksoi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb