TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha  tha se raporti i OSBE/ODIHR  ka rrëzuar të gjithë shtetin, pasi sipas tij, vërtetoi se edhe KQZ luajti rol partiak duke mbajtur qëndrime  për 30 qershorin.

Kryedemokrati thekson se e vetmja gjë pozitive në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR lidhej me faktin se socialistët nuk u përplasen mes tyre në qendrat e votimit edhe pse ishin të vetëm në garë.

“Nuk ka ligj që ka mbetur pa u shkelur. Nuk ka institucion që nuk ka shkelur ligjin. Raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën kundër dekretit të presidentit. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një tallje me demokracinë përfaqësuese.Për të realizuar këtë farsë u shkelën ligjin dhe çdo standard zgjedhor. KQZ portretizohet si një organ partiak se sa një organ i paanshëm. I vetmi raport normal që gjen raporti është se socialistët nuk janë rrahur në qendrat e tyre të votimit bosh. Votimet e 30 qershorit ishin të pandershme dhe antikushtetuese. Votimet e 30 qershorit ishin një farsë zgjedhore dhe shkretim i demokracisë”-theksoi Basha.

Për Lulzim Bashën, zgjedhjet e mbajtura nga maxhoranca në 30 qershor nuk ishin gjë tjetër, por një grusht i pastër institucional ndaj pushtetit lokal.

“30 qershori ishte grusht institucional për kapjen e pushtetit  vendor dhe kjo u realizua me ndihmën e krimit. Kapjen e pushtetit vendor Rama e ka bërë me kriminelë. Janë dy kandidatë që janë me të shkuar kriminale, dhe priten edhe të tjerë. Edhe kur ishte i vetëm në garë, Edi Rama zgjodhi krimin. Ai vodhin dhe manipuloi dhe shkeli çdo ligj dhe çdo standard. 30 qershori faktoi atë që PD e ka thënë: Nuk mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, Edi Rama është armik i zgjedhjeve dhe i demokracisë. Raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhjesh, raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: